BE, Mogherini: Vizita e Ramës
pikë kthese për dialogun rajonal

BE, Mogherini: Vizita e Ramës<br />pikë kthese për dialogun rajonal
TIRANE- Nuk ka qëndruar jashtë vëmendjes së diplomacive evropiane vizita historike e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në Beograd me ftesë të homologut të tij serb, Alexandër Vuçiç. Përtej deklaratave pro dhe kundër kësaj vizite, por dhe vetë mesazheve që përcollën dy kryeministrat ballkanas gjatë kësaj vizite, ajo që është evidentuar nga kancelaritë perëndimore ka qenë mesazhi pozitiv që ka përcjellë në rajonin e trazuar të Ballkanit, të mbushur përgjatë viteve ’90 me luftra dhe përgjakje.

Kështu, që nga Berlini, ndërsa zhvillonte takimet respektive me ministrat gjermanë të Mbrojtjes, Punëve të Jashtme, Zhvillimit e Bashkëpunimit, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, komentoi vizitën historike të kryeministrit shqiptar në Beograd, duke e quajtur “shenjë të një ndryshimi pozitiv për dialogun rajonal në Ballkanin Perëndimor”. “Vizita dyditore duhet të përfaqësojë një pikë kthese në marrëdhëniet midis dy vendeve.

Ne presim që të dy liderët të tregojnë vendosmëri të përtërirë dhe guxim politik, të shohin për të ardhmen dhe për të rindërtuar marrëdhëniet pas kaq shumë vitesh”, vlerëson shefja e re e diplomacisë europiane, Mogherini. Për të cilën është me shumë rëndësi për rajonin por dhe për BE që marrëdhëniet mes dy vendeve fqinjë ballkanikë të përmirësohen, në kuadër dhe të axhendës evropiane të të dy vendeve. Berlini shënon vizitën e dytë zyrtare në një vend anëtar për Përfaqësuen e Lartë, ndërkohë që përpara vizitës në Beograd, Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, u ftua të enjten në Komisionin për çështjet europiane të Bundestag, si dhe bisedoi me Ministrin e Shtetit për Europën në Gjermani.

Disa ministra të jashtëm europianë e eurodeputetë komentuan në mediat sociale vizitën e kryeministrit Rama në Serbi, si dhe rëndësinë që kishte kjo vizitë pas gati 70 vitesh që një kryetar qeverie shqiptare kishte viziuar Beogradin. “Historia është shkruar” për sllovakun Miroslav Lajcak, i cili thekson se kjo vizitë pason takimin Tito-Hoxha në Beograd në vitin 1946, por që nga përmbajtja e mesazheve është tërësisht ndryshe, pasi shihet në kuadër të integrimit të dy vendeve në familjen evropiane. Suedezi Carl Bildt e konsideron “vizitë të rëndësishme për biseda politike”.

Gjithashtu, eurodeputetja e majtë sllovene, Tanja Fajon, “mirëpriti vizitën historike të kryeministrit Rama në Serbi”. Sipas saj, “ajo përfaqëson njê hap të guximshëm për të ardhmen e të gjithë rajonit”. Deklarata këto që garantojnë faktin se vizita dhe mesazhet e Ramës në Beograd janë përcjellë pozitivisht nga vendet e BE.


Dade: Rama bëri mirë që e tha në konferencë
 
Deputetja e PS, njëherësh kryetare e Komisionit të politikës së Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë dhe ish-ministre e Jashtme e Shqipërisë, Arta Dade e ka cilësuar vizitën e kryeministrit Edi Rama në Serbi si tejet të rëndësishme dhe të suksesshme. E ftuar në studion në A1 Report, Dade tha se Serbia dhe Shqipëria janë dy vende që kanë një rol të pazëvendësueshëm në rajonin e Ballkanit. Deputetja socialiste theksoi se se ekonomia është ajo që na bashkon më tepër, duke nisur dhe nga konferenca e Berlinit. Ajo tha se në takimin kokë më kokë mes dy kryeministrave, Kosova ka qënë një nga temat kryesore. Sipas saj kryeministri shqiptar Edi Rama nuk ka bërë ndonjë shkelje protokolli kur përmendi pavarësinë e Kosovës në konferencën e shtypit.
 
 
Astrit Patozi:“Paraqitja e Ramës në Beograd, e paqortueshme”
 
Deputeti demokrat Astrit Patozi përmes një komenti në Facebook tha se vizita e Kryeministrit Edi Rama në Beograd është minimumi e paqortueshme. Duke shfaqur një qëndrim dhe vlerësim të ndryshëm nga ai i ish-Kryeministrit Berisha mbi këtë vizitë, Patozi shkruan se fansat e Ramës në politikë dhe mediatikë janë të lirë të shprehin ekzaltimin e tyre të ekzagjeruar, por nuk kanë pse ia kërkojnë këtë gjë edhe opozitës, e cila nuk ka arsye pse ti thotë bravo. “Për Edi Ramën, si kryeministër dhe udhëheqës i PS, kam një mijë e një rezerva. Që i kam shprehur e do vijoj t’i shpreh sa herë të më jepet mundësia. Por nëse do të më pyetnin për paraqitjen e tij dje në Beograd, do të thoja pa mëdyshje se, minimumi, ishte e paqortueshme”, tha ish-kryetari i grupit të PD.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 12 Nëntor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)


 

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Vdiq në robërinë ruse gazetarja ukrainase, Victoria Roshchyna

Vdiq në robërinë ruse gazetarja ukrainase, Victoria Roshchyna