Marrëveshja tregtare mes Bashkimit Evropian dhe SHBA-së është futur në një zonë të turbullt. Parlamenti Evropian po shqyrton seriozisht pezullimin e procedurës për miratimin e marrëveshjes së njohur si “Turnberry”, pas zhvillimeve të fundit në SHBA dhe vendimit të Gjykatës Supreme amerikane.

Sinjali më i fortë erdhi nga kreu i Komisionit për Tregtinë Ndërkombëtare në Parlamentin Evropian, Bernd Lange, i cili paralajmëroi se do të propozojë ngrirjen e procesit legjislativ. Sipas tij, situata është bërë e paqartë dhe e pasigurt për BE-në, ndërsa administrata e president Donald Trump ka krijuar, siç u shpreh ai, “kaos total” në politikën e tarifave doganore.

Lange theksoi se baza mbi të cilën ishte ndërtuar marrëveshja ka ndryshuar ndjeshëm, sidomos pas vendosjes së tarifave të reja mbi bazën e Seksionit 122 të ligjit amerikan për tregtinë. Sipas tij, kushtet fillestare nuk janë më të njëjtat dhe kjo ngre pikëpyetje serioze nëse SHBA do ta respektojë marrëveshjen apo do të jetë në gjendje ta zbatojë atë.

Para se dokumenti të shkojë për votim në Parlament, Lange kërkon një analizë të plotë ligjore dhe garanci të qarta nga pala amerikane. Pa këto, sipas tij, procesi nuk mund të vazhdojë si normalisht.

Ndërkohë, tensionet janë shtuar edhe nga deklaratat e ambasadorit amerikan në BE, Andreë Puzder. Ai ka paralajmëruar Komisionin Evropian dhe shtetet anëtare të mos miratojnë rregullat e ashtuquajtura “Made in Europe”, duke argumentuar se ato bien ndesh me frymën e marrëveshjes kornizë të nënshkruar në Skoci. Sipas tij, palët kishin rënë dakord të mos vendosnin preferenca të tilla dhe çdo hap në këtë drejtim do të ishte “një gabim i rëndë”.

Komisioni Evropian po shqyrton nëse do të përfshijë preferencën evropiane në aktin e ri industrial, të quajtur “Industrial Accelerator Act”. Por brenda Kolegjit të Komisionerëve ka ndarje të qarta për këtë çështje. Puzder ka kritikuar edhe përfshirjen e kësaj preference në programin e kredive për mbrojtjen SAFE, duke paralajmëruar se një qasje e tillë mund të dobësojë përpjekjet e përbashkëta të mbrojtjes mes SHBA-së dhe BE-së.

Zhvillimet e fundit tregojnë një klimë gjithnjë e më të tensionuar në marrëdhëniet transatlantike. BE kërkon stabilitet juridik dhe siguri për marrëveshjet e arritura, ndërsa administrata amerikane kundërshton çdo masë që e sheh si favorizuese vetëm për prodhuesit evropianë.

Vendimi përfundimtar i Parlamentit Evropian pritet të jetë përcaktues. Nëse procedura pezullohet, kjo mund të çojë në një fazë të re negociatash , ose në një përplasje më të fortë tregtare mes dy anëve të Atlantikut.

Çfarë është marrëveshja Turnberry?

Marrëveshja “Turnberry” mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, e arritur në korrik 2025, nuk është një marrëveshje klasike tregtie të lirë. Ajo konsiderohet më shumë si një kornizë politike për të frenuar përshkallëzimin e tarifave doganore dhe për të stabilizuar marrëdhëniet tregtare mes dy partnerëve.

Në thelb, marrëveshja vendos një tavan orientues prej rreth 15% për shumicën e mallrave industriale dhe bujqësore, si dhe ngrin përkohësisht disa masa hakmarrëse ekzistuese. Qëllimi kryesor është të rikthehet një minimum parashikueshmërie për bizneset, pa imponuar harmonizim të detyrueshëm rregullator apo mekanizma të fortë ligjorë zbatimi.

Megjithatë, disa sektorë kyç, si çeliku dhe alumini, mbeten pjesërisht jashtë kësaj kornize, pasi SHBA i lidh ato me arsye të sigurisë kombëtare. Edhe fusha të tjera të ndjeshme, si disa produkte bujqësore apo shërbimet digjitale, trajtohen në mënyrë të veçantë. Kjo e bën marrëveshjen të kufizuar në shtrirje dhe të varur nga zhvillimet politike.

Në planin ekonomik, marrëveshja ka ulur pasigurinë për kompanitë dhe ka stabilizuar përkohësisht kostot e import-eksportit. Por tarifat ekzistuese, sidomos mbi metalet si alumini, vazhdojnë të ndikojnë në zinxhirët e furnizimit dhe, në mënyrë graduale, në çmimet për konsumatorët.

Zhvillimet e fundit euroatlantike kanë treguar se stabiliteti i kësaj marrëveshjeje mbetet i brishtë. Kërcënimet për tarifa të reja në këto kohë tensionesh politike të lënë të kuptosh se tarifat doganore  po përdoren gjithnjë e më shumë si instrument presioni. Rrjedhimisht “Turnberry” nuk e zgjidh përfundimisht përplasjen tregtare mes BE-së dhe SHBA-së, por po e mban atë nën kontroll, duke lënë hapësirë për tensione të reja nëse klima politike përkeqësohet.