Bashkimi Evropian ka pezulluar të gjitha fondet për Serbinë për shkak të politikave gjyqësore. Lajmin e njoftoi Komisionerja Evropiane për Zgjerimin Marta Kos.
“Aktualisht kemi pezulluar të gjitha pagesat e planit të zhvillimit sepse po shohim përsëri një reagim negativ në sistemin gjyqësor. Derisa kjo të korrigjohet, vendi nuk do të jetë në gjendje të marrë mbështetje financiare nga BE-ja”, tha eurokomisionerja për Zgjerimin.
Pagesat e pezulluara janë pjesë e fondeve të paraanëtarësimit dhe bëjnë pjesë në një paketë prej 1.5 mld euro në total.
Shqetësimet e Brukselit ndaj Serbisë prej kohësh kanë në thelb qasjen e ekzekutivit dhe mazhorancës së Aleksandër Vuçiç për shtetin e së drejtës dhe pavarësinë e gjyqësorit. Serbisë i kërkohet një reformë e thellë në drejtësi me synim forcimin e shtetit të së drejtës, pavarësinë e tij dhe luftën ndaj korrupsionit.
Pezullimi i fondeve ndaj Serbisë ishte raportuar më parë nga Politico që thoshte se Brukseli dëshiron ta privojë Beogradin nga 1.5 miliardë euro ndihmë për shkak të lidhjeve të tij me Rusinë.
Marta Kos e njoftoi pezullimin e pagesave ndaj Serbisë në një konferencë në Friburg të Zvicrës, ku foli për proceisn e zgjerimit të BE sidomos atë me Bashkimin Evropian.
Ajo përmendi faktin që Mali i Zi dhe Shqipëria janë të parët në renditje sa u takojnë reformave, për të cilat siç tha, nëse realizohen sicx duhet mund të sjellin rezultat për vendet në kontekstin e integrimit.
“Shpresoj që i gjithë Ballkani Perëndimor të frymëzohet nga shembulli pozitiv i Mali të Zi dhe Shqipërisë, e cila është e dyta në radhë, me qëllim ndjekjen e të njëjtës rrugë”, tha Kos.
Mali i Zi bëri një hap gjigant ditët e fundit në procesin e pranimit në BE, pasi anëtarët aktualë të bllokut ranë dakord të fillojnë punën për të hartuar traktatin e pranimit për shtetin e vogël ballkanik.
Komente










