Bashkimi Evropian ka dështuar deri tani të gjejë një zgjidhje për problemin e emigrantëve. Mediet serbe kanë raportuar një spekulim se zgjidhja po kërkohet në Ballkan.
“Blic” raporton se  një kamp për qëndrimin e 400 mijë emigrantëve mund të ndërtohet në jug të Serbisë.

Ende nuk ka një propozim të tillë korrekte por paralajmërimi vjen nga kreu i komisionit parlamentar për Sigurinë dhe Mbrojtjen në parlamentin serb, Momir Stojanoviç.

Sipas tij nëse BE bën një propozim të tillë Serbia nuk do të ketë dot forcën për të kundërshtuar sepse presioni do të jetë shumë i madh.

Stojanoviç thotë se sikur vetëm 1/5 e këtyre emigrantëve të qëndronte në Serbi mund të përbëjë rrezik për ekonominë dhe sigurinë e Serbisë.

Nga ana tjetër ministri i Çështjeve Sociale, Aleksandër Vulin mohon të ketë dijeni për një plan të tillë dhe gjithashtu thotë se kjo është ide e pamundur.

“Serbia nuk ka kapacitetin dhe nuk dëshiron të bëhet pjesë e një projekti të tillë”, shprehet Vulin.

Çdo ditë më shumë se 1 mijë emigrantë hyjnë në Serbi. Aktualisht në Serbi ndodhen rreth 70 mijë emigrantë të cilët janë shpërndarë në pesë qendra azilkërkuese.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)