Shembja e godinës së Teatrit Kombëtar në orën 04:30 të mëngjesit të sotëm, kur qytetarët ishin ende në gjumë, ka sjellë reagimin e fortë të BE-së, Gjermanisë dhe Britanisë. Ata njëzëri kanë dënuar mënyrën se si u veprua me teatrin dhe se u nxituan në procesin e shembjes së saj. Si ambasada e BE, ajo gjermane  apo e Britanisë së Madhe kanë thënë njëzëri se qeveria duhet të ishte ulur në dialog me shoqërinë civile dhe artistët që të gjetjen e një zgjidhje para se të kryhej një veprim i tillë i pakthyeshëm si shembja e godinës.

BE shprehu keqardhjen për këtë veprim, ndërsa ambasada Gjermane tha se shembja ishte e nxituar dhe e pakuptimtë për mënyrën si ndodhi. Ambasada britanike është shprehur e zhgënjyer që nuk u dialogua për këtë çështje, ndërsa Europa Nostra, që më herët pati premtuar të kryente rikonstruksionin e saj, e cilësoi një ditë të trishtë për kulturën  e Shqipërisë dhe të Europës.

Delegacioni i BE-së në Tiranë ka reaguar për herë pas shembjes së Teatrit Kombëtar. Ambasadori Luigi Soreca shpreh keqardhjen që sipas tij, institucionet  kombëtare dhe vendore nuk e dëgjuan thirrjen për dialog mes palëve përpara se të merrej një vendim i pakthyeshëm, që ishte shembja e godinës.

"Prishja e Teatrit Kombëtar erdhi në një kohë kur ne kërkuam dialog midis autoriteteve dhe shoqërisë civile para se të merrej një vendim i pakthyeshëm. Na vjen keq që kjo thirrje nuk u ndoq nga institucionet përkatëse kombëtare dhe vendore.

Që në orët e para të këtij mëngjesi, ne kemi ndjekur me shqetësim të thellë zhvillimet në terren. Ne i bëjmë thirrje palëve të tregojnë kufizim dhe të shmangin përshkallëzimin e situatës" shkruan Soreca.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:09
Gjermania reagon ashpër për shembjen e teatrit: Veprim i nxitur dhe i pakuptimtë! Uluni në dialog tani

1589719152_teatri600x360.jpg

Ambasada Gjermane ka reaguar shumë fort në lidhje me prishjen e godinës së teatrit duke e cilësuar një veprim të pakuptueshëm të ndodhur në këto kushte dhe në atë formë. Ambasadori gjerman Peter Zingraf tha se shembja ishte e nxituar dhe se qeveria tashmë duhet të ulet të krijojë një dialog transparent me shoqërinë civile. Ambasadori bën thirrje për dialog dhe vetëpërmbajtje nga të gjithë aktorët e përfshirë në ngjarje.

"Shembja e nxituar e Teatrit Kombëtar në Tiranë agimin e ditës së sotme në atë formë, që e pamë, është për mua e vështirë për t’u kuptuar. Pikërisht në situatën aktuale të jashtëzakonshme dialogu mes qeverisë dhe shoqërisë civile si dhe sjellja transparente e qeverisë janë veçanërisht të rëndësishme. Ky zhvillim më shqetëson edhe më shumë nisur nga konteksti i luftës kundër pandemisë së virusit Corona, duke qenë se grumbullimet e njerëzve të ndodhura deri tani dhe ato të pritshme mund të sjellin hapa pas. U bëj thirrje të gjithë aktorëve për dialog dhe vetëpërmbajtje", shkruan Zingraf.

Ora 12:57
'Thellësisht të zhgënjyer për mungesën e dialogut', Ambasada Britanike reagon për prishjen e Teatrit: Dhuna cenon parimet e demokracisë

Ambasada Britanike ka reaguar në lidhje me shembjen e Teatrit Kombëtar duke vënë theksin te dhuna e ushtruar gjatë mëngjesit të sotëm. Ambasada thotë se është thellësisht e zhgënjyer që nuk u dialogua dhe nuk u gjet një zgjidhje në mënyrë paqësore.

"Thellësisht të shqetësuar nga mundësitë e humbura për dialog mbi ndërtesën e Teatrit Kombëtar dhe episodet e dhunës në Shqipëri. Mbështesim të drejtën demokratike për të protestuar dhe u bëjmë thirrje të gjithë të përfshirëve të garantojnë që të jenë paqësorë. Dhuna cënon parimet themelore të demokracisë,"-shkruan Ambasada Britanike.

Ora 12:55
Reporteri i Shqipërisë në PE dënon dhunën dhe prishjen e Teatrit: Të dialogohet me palët, shteti ligjor është primar

Ashtu si edhe eurodeputeti Gahler dhe reporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian David Lega ka denuar prishjen e Teatrit Kombëtar. Lega bën thirrje që të ndalet prishja dhe të dialogohet me palët e interesuara.

"Shembje e godinës së Teateit Kombëtar gjatë natës sot

Unë e dënoj veprimin e autoriteteve dhe dhunën policore sot në Tiranë e i bëj  thirrje kryeministrit Rama që të ndalë shembjen e paligjshme të Teatrit Kombëtar, të ndalojë dhunën ndaj artistëve e aktivistëve dhe të angazhohet në dialog me të gjithë grupet e interesuara përfshirë Europa Nostra dhe Insitutin e Bankës Evropiane të Investimeve të cilat mbështeten nga Komisioni Evropian dhe janë të gatshme për të ndihmuar. Teatri Kombëtar është renditur si një sit kulturor europian i rrezikuar.

I bëj thirrje kryeministrit Rama që të dëgjojë apelin e Komisioneres së Kulturës Gabriel dhe të ndalojë dëmet e pariparueshme. Sjell në  vëmendje të Qeverisë shqiptare 15 kushtet që duhet të plotësojë Shqipëria për të filluar negociatat. Shteti ligjor është primar,"-shkruan Lega.

Ora 12:28
'Dënoj prishjen e Teatrit dhe dhunën'! Eurodeputeti gjerman: I bëj thirrje Ramës që të dëgjojë

Eurodeputeti gjerman Michael Gahler ka reaguar lidhur me shembjen e Teatrit Kombëtar mëngjesin e sotëm. Përfaqësuesi për çështjet e jashtme e të zgjerimit i grupit parlamentar të Partisë Popullore Europiane në Parlamentin Europian thotë se dënon veprimin e autoriteteve për shembjen e Teatrit si dhe dhunën e ushtruar ndaj artistëve dhe aktivistëve.

"Shembje e godinës së Teatrit Kombëtar gjatë natës sot. Unë e dënoj veprimin e autoriteteve dhe dhunën policore sot në Tiranë e i bëj  thirrje kryeministrit Rama që të ndalë shembjen e paligjshme të Teatrit Kombëtar, të ndalojë dhunën ndaj artistëve e aktivistëve dhe të angazhohet në dialog me të gjithë grupet e interesuara përfshirë Europa Nostra dhe Insitutin e Bankës Evropiane të Investimeve të cilat mbështeten nga Komisioni Evropian dhe janë të gatshme për të ndihmuar. Teatri Kombëtar është renditur si një sit kulturor europian i rrezikuar.

I bëj thirrje kryeministrit Rama që të dëgjojë apelin e Komisioneres së Kulturës Gabriel dhe të ndalojë dëmet e pariparueshme. Sjell në  vëmendje të Qeverisë shqiptare 15 kushtet që duhet të plotësojë Shqipëria për të filluar negociatat. Shteti ligjor është primar,"-shkruan në 'facebbok' eurodeputeti Gahler.

Ora 09:15
Shembja e Teatrit, vjen reagimi i parë nga jashtë! 'Europa Nostra': Ditë e trishtueshme për kulturën e Shqipërisë

Pas prishjes së Teatrit Kombëtar ka ardhur edhe reagimi i parë nga jashtë vendit dhe është pikërisht shoqata 'Europa Nostra', e cila më herët pati premtuar edhe paratë për rikonstruksionin e kësaj dite. Në reagimin e saj 'Europa Nostra' thotë se 'sot është një ditë e trishtueshme për kulturën dhe trashëgiminë e Shqipërisë dhe të Europës.

"Ditë e trishtueshme për kulturën dhe trashëgiminë e Shqipërisë dhe të Europës. Ditë e trishtueshme për Demokracinë, Rregullat dhe Ligjet në Shqipëri dhe Europë. Herët në mëngjes autoritet shqiptare arrestuan aktivistë të shoqërisë civile dhe filluan prishjen e Teatrit Kombëtar të mbrojtur në Tiranë,"-shkruan 'Europa Nostra'.

'Europa Nostra' është një federatë europiane për trashëgiminë kulturore e cila përfaqëson organizatat e qytetarëve që punojnë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore të Europës.