BE, Rama: Drejtësinë e kemi në
 embrion, rruga për negociatat

BE, Rama: Drejtësinë e kemi në<br /> embrion, rruga për negociatat
TIRANE - Rruga për hapjen e negociatave me BE-në kalon vetëm përmes reformës në drejtësi. Kryeministri Edi Rama tha se e ka përkthyer qartë këtë domosdoshmëri që Komisioni Evropian adreson ndaj Shqipërisë në raport-progresin e vitit 2015, dhe tha se këtë proces vendi ynë nuk e sheh si imponim nga ana e Brukselit por si nevojë për të mos i trashëguar shoqërisë një sistem të kalbëzuar gjyqësor.

Rama tha se raporti vlerëson ecurinë e deritanishme në përgatitjen e reformës në drejtësi si dhe angazhimin e qeverisë për gjithëpërfshirje, çka në këndvështrimin e kreut të qeverisë përkthehet kështu: Nëse reforma në drejtësi do të mbyllet pa humbur kohë të çmuar dhe duke luftuar fuqimisht në muajt në vijim atëherë rruga jonë për negociatat është e hapur. 

Ambasadorja e Bashkimit Evropian në vendin tonë Romana Vlahutin e cil i dorëzoi raport-progresin kreut të qeverisë, tha se Shqipëria ka bërë progres të qëndrueshëm dhe nuk ka bërë asnjë kthim pas në rrugën e reformave të marra. Sfida për Shqipërinë, edhe në këndvështrimin e kreut të delegacionit të BE-së mbetet reforma në drejtësi dhe vetëm me realizimin e saj mund të flitet me çelje të negociatave për anëtarësim.

Konferenca e plotë Rama-Vlahutin

Rama: Reforma ne drejtesi faze e re, denime te merituara zyrtaresh
Lidhur me theksin që Komisioni Evropian vë për të pasur dënime në çdo nivel për korrupsion, kryeministri tha se është pikërisht reforma në drejtësi që do t'i hapë rrugë dënimeve të merituara të zyrtarëve.

"Ne jemi plotësisht të ndërgjegjshëm se në kuadër të zbatimit të politikave antikorrupsion dhe të jetësimit të reformave kërkohen rezultate që kanë të bëjnë me hetimin, gjykimin dhe dënimin në të gjitha nivelet, gjë që na kthen prapë tek fjala kyç, me reformën në drejtësi. Realizmi i reformës në drejtësi do të çelë një fazë tërësisht të re duke krijuar kushtet për të pasur hetime të besueshme dhe cilësore, gjykime të drejta dhe dënime të merituara në të gjithë nivelet dhe posaçërisht në nivelin e zyrtarëve të lartë", tha Rama

Rama: Vendet e Rajonit asnje centimeter para nesh
Rama tha se progresi i vendit tonë është në të njëjtin nivel edhe me të shteteve që tashmë i kanë hapur negociatat për anëtarësim, me një ndryshim - theksoi ai: Ne reformën në drejtësi e kemi në embrion.

"Ne nuk jemi një vend që negocion me BE, por mjafton një vështrim të progres-raporteve për rajonin për të parë Shqipëria është në të njëjtin nivel. Pra nuk është një vend që përkundër prioriteteve dhe të dhënave që jep ky raport të rezultojë siç mund të rezultonte, pasi është vetëm kandidat. Nëse të tjetër kanë hapur negociatat nuk janë asnjë centimetër para nesh, jemi në të njëjtin nivel. Me një dallim, ne reformën në drejtësi e kemi në embrion, na duhet ta çojmë përpara ta kalojmë dhe pastaj nuk ka asnjë dyshim se i kemi hapur vetes rrugën e negociatave në BE", tha Rama.

Rama: Raporti vleresoi luften kunder droges
Goditja e trafikut të drogës e cila sipas Ramës ka marrë vlerësim nga Komisioni Evropian, çon sërish drejt nevojës për reformën në drejtësi për të pasur rezultate të mëtejshme në luftën kundër narkotikëve.

"Në prioritetin e 4 ka një vlerësim, shohim një përgjigje të qartë për të gjitha akuzat dhe shpifjet ndaj policisë së shtetit dhe ndaj arritjeve në goditjen e krimit të organizuar, dhe siç thotë raporti veçanërisht në goditjen e trafikut të drogës. Por edhe këtu me të drejtë kërkohet të shkohet më tej për të pasur rezultate të qëndrueshme në hetim, gjykim dhe dënim. Pra përsëri kthehemi tek fjala kyç, reforma në drejtësi, si parakushti për të siguruar qëndrueshmëri dhe progres në të gjithë aspektet e shtet-ndërtimit dhe e konsolidimit të shtetit ligjor në Shqipëri", theksoi shefi i mazhorancës.

Rama: Reforma ne administrate me e vleresuara nga KE, pergjigjja per akuzat shpifese
Prioriteti që ka marrë vlerësimin më të lartë në këtë progres-raport, tha Rama është reforma në administratën publike dhe kaq mjafton sipas tij si përgjigje për akuzat që i janë adresuar qeverisë për punësime në sajë të teserës së partisë.

"Angazhimi ynë për të mbyllur një epokë me një administratë të diskretituar, të stërpolitizuar dhe të stërkorruptuar dhe për të hapur një epokë të ndërtimit të një administrate të pavarur vlerësohet qartësisht në këtë raport ku theksohet ecuria e mirë dhe reforma solide e administratës publike çka e bën këtë prioritet me vlerësimin më të lartë dhe çka hedh poshtë të gjitha akuzat dhe shpifjet sistematike në këtë drejtim. Megjithatë ne jemi larg së qeni të kënaqur me mënyrën si funksionon sot administrata publike dhe ambicia është që këtë administratë ta përgatisim duke rritur cilësisht qoftë për të përballuar me sukses nevojën për të pasur një shërbim të denjë nga administrata e këtij shteti, qoftë për të përballuar procesin aspak të lehtë të negociatave në BE", tha kreu i qeverisë.

vlahutin dhe rama

Rama: Krenar per reformen e prones, e kaluara na la fatura te kripura
Çështja e pronës për të cilën Komisioni Evropian kërkon të zgjidhet dhe adreson kritika për të disatin vit radhazi, është një ndër çështjet për të cilat kjo qeveri ndihet krenare që e adresoi  për herë të parë në parlament reformën për pronën.

"Në prioritet e 5 vlerësohet standardi legjislativ për mbrojtjen e të drejtave themelore, por nënvizohet për kushedi të sesatën herë domosdoshmëria për të adresuar çështjen e pronës. Ne kemi krenarinë qe jemi e para qeveri e para që e adreson, me vizion me vendosmëri dhe me drejtësi. Reforma e pronës është në parlament. Përfundimi i saj në kohë do të realizojë ndarje të prerë nga e kaluara që na ka lënë në kurriz male të tëra me dosje për gjykim në Gjykatën e Strasburgut ku prej vitesh vijnë fatura të kripura që kanë kosto që taksapaguesit duhet t'ia paguajnë qeverive pa vizion, pa vullnet dhe pa sens drejtësie që kemi pasur deri në qershor 2013", - tha kreu i qeverisë.

Rama: Ne RTSH gjendje skandaloze, veprojme menjehere sic dime ne
Rama tha se Shqipëria ruan qëndrueshmëri nga viti i shkuar sa i përket lirisë së shprehjes, por ai sheh si problem shqetësues gjendjen e televizionit të informacionit publik, për të cilin shprehu vendosmërinë se do të veprohet menjëherë.

"Në fushën e lirisë së shprehjes vijon një ecuri pozitive e vitit të shkuar por kërkohet një vëmendje për të rregulluar pavarësinë e autoritetit rregullator dhe transmetuesit publik, një kanal i informacionit publik i cili është peng i së shkuarës dhe inercinë e kësaj të shkuare që ne e kemi pranuar e shohim sot si një pengesë reale dhe nuk kemi gojë të flasim për gjendjen skandaloze të RTSH. Do të veprojmë menjëherë dhe do të veprojmë ashtu siç dimë të veprojmë ne. Jemi të angazhuar për të adresuar edhe çështjen e borxhit publik si dhe për të vazhduar të përparojmë në fushë e energjisë, por në të dyja këto aspekte kemi ndërmarrë reforma të guximshme dhe fatmirësisht të mbështetura nga publiku", - u shpreh kryeministri.

Vlahutin: Shqipëria Progres të qëndrueshëm, asnjë kthim pas
Kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Romana Vlahutin e përmblodhi progres-raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë me fjalët: “progres shumë i qëndrueshëm, asnjë kthim pas”. Por, Vlahutin foli dhe për sfidat që ka përpara Shqipëria që nisin nga reforma në drejtësi. 

“Nëse do të duhet ta përmbledh në një frazë, është diçka që ju e keni dëgjuar nga Komisioneri Hahn, është një progres shumë i qëndrueshëm që ka bërë Shqipëria për prioritet kyçe që do të çojnë në hapjen e negociatave. Nuk ka pasur pauzë dhe kthim pas. U ndërmorën një sërë reformash që janë duke vazhduar, kemi ende disa sfida serioze përpara: Progresi në administratën publike, reforma administrative, plani i veprimit për luftën kundër korrupsionit, bashkëpunimi i mirë ndërkombëtar për luftën kundër trafikut, luftën ndaj informalitetin, reformat financiare. Dëshiroj të theksoj faktin se ne e vlerësojmë shumë përafrimin e Shqipërisë në politikat e BE për sigurinë. E shohim Shqipërinë si aleat. Gjëja më e rëndësishme është reforma në gjyqësor. Shumica kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës. Dënimi i atyre që merren me krim të organizuar dhe korrupsion të të gjitha niveleve. Miratimi i paketës së reformës i hap rrugë hapjes së negociatave. Duke pasur një historik të qëndrueshëm. Qasje më sistematike për dhunën në familje, mbrojtjen e fëmijëve dhe rregullimi i të drejtave të pronës. Të ndiqni rekomandimet e OSBE/ODIHR për zgjedhjet. Ne i kemi parë të gjitha gjërat që janë bërë dhe ne u mbështesim në këtë drejtim. Duhen bërë investime për kapitalin njerëzor dhe fizik për zhvillimin e Shqipërisë. Shpresojmë që ky raport të shërbejë si një mjet i dobishëm për të matur përparimin. Synimi i është i qartë që duhet të ketë standarde evropiane për qytetarët shqiptarë", tha Vlahutin.

Kur do të hapen negociatat për anëtarësim?
Kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian, Romana Vlahutin e pyetur se kur mund të hapen negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, tha se kjo mund të ndodhë pasi reforma në drejtësi të jetë realizuar dhe të jetë e duhura.

“Sigurisht që Shqipëria do të trajtohet si çdo vend tjetër. Kemi një reformë që duhet përfunduar. Nëse bëhet në mënyrën e duhur, ju mund ta imagjinoni vetë se cili do të jetë hapi tjetër”, tha Vlahutin.

Shuplakë e fortë për drejtësinë, a ka nisur tronditja?
Kryeministri, Edi Rama duke folur për reformën në drejtësi që do jetë kyçe në hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian foli për një reformë në bashkëpunim me opozitën, ku tha se për gjetjen e konsensusit do të shërbejë si “ndërmjetës” Komisioni i Venecias.
 
“Kur ta ndjeni ju tërmeti do këtë mbaruar, por ndërkohë dhe në fakt njëherë tjetër mund ta shpjegoj pse e thash këtë gjë. Ajo ka kam thënë është se në vjeshtë do të kemi gati paketën që është instrumenti ligjor për të shkundur, tundur, shembur nga themelet një sistem aq të korruptuat, aq të kalbur dhe aq kundër interesave të çdo qytetari dhe të vendit tonë sa që nuk mbeti njeri që di anglisht pa na e përplasur këtë para fytyrës. Paketa është gati. Kjo reformë nuk mund të jetë reformë e një pale. Mirëpresim Komisionin e Venecias, opinioni i të cilit ka qenë pikë për të gjetur konsensus mes palëve. bazuar në opinion dhe rekomandimin e Komisionit të Venecias do të ecim më tutje. Jemi në fillim të vjeshtës dhe ne presim që Komisioni i Venecias të shprehet sa më parë”, tha Rama.
 
romana vlahutin

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Fier/Përplasi për vdekje 61 vjeçaren, arrestohet autori! E la në mes të rrugës

Fier/Përplasi për vdekje 61 vjeçaren, arrestohet autori! E la në mes të rrugës