TIRANE- Shqetësimi i vendeve të BE për rritjen e numrit të azilkërkuesve nga Ballkani që mund të sjellë dhe pezullimin e vizave, ka bërë që në Luksemburg të mblidhen ministrat e Brendshëm.

 Menjëherë pas konferencës së Mallstrom dhe përfaqësueses së Presidencës qipriote, në një intervistë për për gazetën "Shqiptarja.com", nënkryetarja e komisionit të Jashtëm Parlamentar dhe ish-ministre e Jashtme shqiptare, deputetja e PS Arta Dade ka vlerësuar se nuk mendon në një kthim prapa të BE për pezullimin e regjimit të vizave.

Janë mbledhur në Luksemburg ministrat e brendshëm të vendeve të BE që, nisur nga shqetësimi për rritjen e azilkërkuesve nga Ballkani po kërkojnë pezullimin e heqjes së vizave dhe rikthimin prapa për bllokimin e lëvizjes së lirë. Komenti juaj?


Në këtë takim të ministrave të Brendshëm të vendeve të BE që u mbajt në Luksemburg do propozohet unifikimi i sistemit të dhënies së azilit. Sepse vende të ndryshme të Bashkimit Evropian kanë standarde të ndryshme të dhënies së azilit, ndaj ata kanë rënë dakord që të unifikohet në të gjithë vendet e BE. Kështu në rastet kur kërkohet azil nga vendet që janë jashtë BE por që janë pranuar për të hyrë në zonën "shengen" sipas rregullave të përcaktuara më parë për vendet jo-anëtare me të cilat BE ka liberalizuar sistemin e vizave, standardi do jetë i njejtë për të gjitha vendet e BE.

Mendohet që mund të ketë probleme me qytetarët shqiptarë që ka mbi një vit që lëvizin pa viza në vendet e BE...?


Ka muaj që ka një shqetësim në vendet e Bashkimit Evropian lidhur me numrin gjithnjë e në rritje të azilkërkuesve nga vendet joanëtare të Ballkanit. Sikurse u raportua nga Presidenca qipriote dhe nga komisionerja Malmstrom ka një një rritje 75 përqind të kërkesave krahasuar me kohë më parë. Sigurisht që kjo përbën shqetësim, të cilin e kanë adresuar pranë Komisionit Evropian në mënyrë të veçantë për gjashtë vendet të cilat kanë qënë më të prekura nga fenomeni i azilantëve nga Ballkani. Para dy ditësh dhe në Shqipëri u riatdhesuan 59 azilkërkues. Sigurisht që KE u kërkon vendeve me të cilat kanë liberalizuar sistemin e vizave që të marrin masa adekuate dhe të mirëinformojnë shtetasit e tyre në mënyrë që ata të zbatojnë afatet e parashikuara mbi bazën e marrëveshjeve të nënshkruara.

Mendoni se është një masë parandaluese...?

Padyshim që kjo do trembë dhe shtetasit e atyre vendeve që janë në proces për liberalizimin e vizave, si në rastin e Kosovës.

Ka ndonjë rrezik për rivendosjen e sistemit të vizave, propozimi dhe mund të merret parasysh...?

Unë nuk besoj që mund të merret ndonjë vendim për të bërë hapa pas për liberalizimin e vizave për shtetet e Ballkanit Perëndimor sepse kjo do penalizonte dhe ata shtetas që respektojnë afatet dhe elementët e përcaktuar në marrëveshjet përkatëse. Me sa duket kjo do të jetë dhe kryefjala e takimit që do të mbahet në Tiranë pas 10 ditësh me ministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku siç paralajmëroi do jetë dhe Malmstrom. Sigurisht që KE do t'u kërkojë qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor të marrin masat përkatëse në mënyrë që Komisioni të mos detyrohet të bëjë hapa prapa lidhur me lejimin e shtetasve të këtyre vendeve të gëzojnë të drejtat që i fituan lidhur me liberalizimin e vizave.

(Intervista u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)