Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk, gjatë konferencës për shtyp në Kiev tha se BE mund të flasë vetëm mbi një mision civil, jo ushtarak. Më herët presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko pati deklaruar se BE ose OKB duhet të vendosnin paqëruajtës në lindje të Ukrainës për të monitoruar zonën e konfliktit. Donald Tusk tha se OSBE kish shprehur shqetësim mbi vazhdimin e sulmeve dhe mos arritjen e çarmatimit të zonës, siç ishte parashtruar në marrëveshjen e armëpushimit në Minsk të Bjellorusisë.
Ai theksoi se sanksionet e BE ndaj Rusisë do mbeten deri sa kushtet e marrëveshjes së Minskut të plotësohen tërësisht. Pjesë e samitit ishte dhe presidenti i KOmisionit të Bashkimit Europian Jean-Claude Juncker i cili insitoi në kërkesën që Ukraina të vazhdojë reformat ekonomike, për të ulur inflacioni, borxhet dhe korrupsionin.
Rebelët pro-Rusë kanë bombarduar vazhdimisht gjatë fundjavës një fshat në afërsi të qytetit portual të Mariupol. Rebelët të armatosur me mjete të rënda luftarake kanë luftuar kundër forcave qeveritare për rreth një vit në rajonin e Donetskut dhe Luhanskut. Perëndimi akuzon Rusinë për armatimin e rebelëve dhe dërgimin e ushtarëve, por Moska e mohon këtë fakt duke thënë se pjesmarrësit në konflikt janë vullnetarë.
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)