Në takimin e 17-të mes BE dhe Shqipërisë në Bruksel (4-5 mars), Komisioni Europian ka mirëpritur progresin e reformës në drejtësi dhe vettingu tashmë po i afrohet përfundimit, brenda afatit të qershorit 2026.
“Ruajtja e pavarësisë së gjyqësorit mbetet thelbësore për shtetin e së drejtës, së bashku me përpjekjet e vazhdueshme për të përmirësuar më tej llogaridhënien, cilësinë dhe efikasitetin e sistemit gjyqësor, veçanërisht në prag të fazës pas vetingut”, thuhet në deklaratë.
Në këtë takim të Nënkomitetit për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë, u diskutua zhvillimet më të fundit lidhur me drejtësinë, korrupsionin dhe krimin e organizuar, si dhe çështjeve të sigurisë dhe punëve të brendshme.
Puna e SPAK është vlerësuar gjithashtu, sidomos për rezultatet në rastet e korrupsionit të lartë. Megjithatë, thotë se tani duhet parë zbatimi efektiv i ligjeve për parandalimin e korrupsionit si dhe duhet përmirësuar hetimi dhe ndjekja penale e sektorëve si prokurimi publik.
“Miratimi i ligjeve kyçe për parandalimin e korrupsionit përbën një hap tjetër pozitiv, megjithëse tani vëmendja përqendrohet te zbatimi i tyre efektiv. Nevojiten gjithashtu përpjekje të mëtejshme për të përmirësuar hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve në disa sektorë të ndjeshëm, siç është prokurimi publik”, thotë deklarata.
Njëkohësisht janë vlerësuar përparimet në miratimin e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave, transparencën e pronësisë së mediave, barazinë gjinore, dhunën me bazë gjinore, të drejtat e fëmijëve dhe mosdiskriminimin.
Por në këtë pikë, deklarata nënvizon se “nevojiten reforma më të gjera për të forcuar më tej lirinë e shprehjes, lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve, pas një procesi të gjerë konsultimi”.
Gjithashtu thuhet se Shqipëria pritet të përafrohet me legjislacionin e BE-së, është vlerësuar progresi në bashkëpunimin kundër drogës, ndërsa thuhet se duhet të vijojë puna për parandalimin dhe luftimin e terrorizmit e ekstremizmit në Ballkanin Perëndimor dhe përafrimin me standardet europiane për migracionin.
Komente












