TIRANE-Besimi i publikut tek drejtësia nuk është në nivelin e duhur, pasi cilësia e dhënies së drejtësisë dhe autoriteti i gjykatave është ende i dobët, ndërsa mungon mbështetja e dy pushteteve të tjera. Ky ka qenë shqetësimi që kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Becaj ka bërë prezent tek ambasadori i ri britanik në vendin tonë Nicholas Cannon.

Becaj theksoi se infrastruktura e gjykatave është e pamjaftueshme, vonesat në gjykime dhe endjet e qytetarëve nëpër dyert e gjykatës janë fenomene të përditshme që mbartin strese e pakënaqësi. Për të evituar problematika të tilla, duhet mbështetja e dy pushteteve të tjera dhe ndikimi i politikbërësve, bashkëpunimi dhe kontributi i gjerë i të gjithë elementëve të shoqërisë civile dhe aktorëve të sistemit gjyqësor.

Në njoftimin për mediat theksohet se ambasadori i sapoemëruar Britanik Nicholas Cannon ka mbështetur këto shqetësime dhe ka premtuar ndikimin e tij në zgjidhjen e këtyre problemeve, me anë të gjetjes së rrugëve dhe mjeteve sa më të përshtatshme në ndihmë të sistemit gjyqësor.
(jd/shqiptarja.com)