Befasi poetike, Ëndrra si re të
Marg Shilipas

Befasi poetike, Ëndrra si re të<br />Marg Shilipas
Margarita emër luleje, Margari tatitull kënge. Margarita personazh i kryeveprave letrare. Papritmas më qarkulloi në mendje kjo “retorikë numërimi” rreth Marg Shilipas, si befasi e poezisë së sotme shqipe. Jeton në Pianna degli Albanesi dhe i vargëzon me delikatesë luleve, dashurisë, diell-hënës, ditë-natës, qiellit nën magjinë e ritmit yjësor me tingëllima krejt të ndryshme nga ato çka lexojmë e dëgjojmë nga poezia e sotme. Margaritën, gruan e brishtë dhe elegante, që kam njohur rreth dhjetë vite më parë, e zbulova në një dimension tjetër nëpërmjet kësaj përmbledhje.
 
Më yshti drejt emocioneve stilema e saj, sepse, me vokalin origjinal e nuancat e veçanta timbrike, ajo di ti këndojë jetës, detit, dashurisë, dhimbjes, dhe po aq herë të jetë e pranishme në ngjarjet e mëdha që trondisin shoqërinë. Është e ndjeshme ndaj problemeve sociale dhe pozicionohet në kohën e duhur për atë çka i ndodh  rretheqark, duke propozuar struktura poetike që perceptohen me lehtësi por që të mbeten gjatë në mendje.
 
E rizbulova poeteshën Marg, edhe përmes petaleve të vargjeve, vibrimit të ngjyrave tek shpërthejnë me delikatesë nën përplasje krahësh fluturash apo rrëshqitjes së ëmbël të diellit kur perëndon, dhe nuk e ndala imagjinatën, fluturova në qiellin e pa skaj, i preka retë, u ula në ylbere edhe sodita e ngazëllyer detin e gjerë të ëndërrimeve. Mbasi ke udhëtuar gjatë me këtë krijimtari, kupton se bota e saj shpirtërore është po aq e thellë ashtu si vetë poezia.
 
Sepse, Marga qëndis si nikoqire e mirë një oqean të thellë ritmesh e ndjenjash, duke ia dhuruar lexuesit me forcën dhe delikatesën e gruas. Ajo end ngadalë vargje pa bujë, shpesh herë e mbyllur brenda guackës intime, ashtu si zogjtë thurin me art majë pemëve të larta foletë e tyre, për të qenë më pranë yjeve dhe qiellit. Ky është mikrokozmosi i Marg Shilipas, duke mos rreshtur së kujtuari se është edhe Penelopë, në pritje ankthi, përjetësisht e dashuruar.
 
Shilipa ka zgjedhur ta vendosë veten mes dy raporteve: nga njëra anë poetesha e angazhuar me materjen vargëzuese, të cilën e zotëron mjeshtërisht, në anën tjetër gruaja që afeksionohet sa me marrëdhëniet personale aq edhe dhe me historitë e trishta njerëzore. Këto fakte nuk i kisha konstatuar para se të bija në kontakt me veprën e saj. Njohja ime në distancë, ka qenë më shumë se empirike.

Kam menduar se raportin me poezinë, e ka patur të ndrojtur, pse jo edhe disi të paprekshëm, inekzistent. E kam besuar si të qenë, sepse të jetosh nën një kulm me personalitetin poezisë moderne shqipe, me Giussepe Schiro Di Maggion, nuk mund të mendosh ndryshe. Bile, edhe kam menduar se punët nën të njëjtin kulm kanë qenë të ndara aq sa poezia nuk mund të ishte destinacion edhe për të.
 
Por, kur merr në dorë krijimtarinë e Shilipas dhe nis e lexon, është e vështirë të kapësh ndikime apo nuanca të dukshme të poezisë së Di Maggios. Kjo është vlerë. Nuk e tejkaloj nëse them se individualiteti i saj letrar është i qartë, ashtu siç vetë ajo nuk nguron të shprehë edhe në vargje të gjithë adhurimin që ka për poetin-bashkëshort, e ku nuk është vështirë të nënkuptosh se është edhe vijuese e kësaj shkolle poetike.

Kjo konstatohet kur lexon vargjet; “Bie pamet në dashuri/pse ti je njeri-poet”. Marga, edhe pse nuk e bën diferencën mes njeriut dhe poetit, di të rendisë drejt raportet që ato kanë me njëri tjetrin. Vetëm në një fjalë të përbërë ajo qartëson edhe hierarkinë e këtyre raporteve. Nga kjo marrëdhënie kuptohet se ata të dy, jo vetëm komunikojnë me gjuhën e artit, e zbulojnë së bashku magjinë e atij peisazhi që quhet Pianna degli Albanesi dhe detit në distancë, por dinë ti marrin çdo ditë jetës fizikisht dhe poetikisht dashurinë.
 
Marg Shilipa pohon me bukurinë e vargut dhe krenohet me origjinën arbërëshe. Përveçse emocionuese, kjo “deklaratë” e vetëndjerë është e zhveshur nga çdo lloj patetizmi. Sepse ka disa të vërteta në jetë që mund të deklarohen vetëm me forcën e vargëzimit. Ajo artikulon arbërisht me një dialekt të qartë e fjalor të pasur, çka ia shton edhe më tepër ngjyrimin gjuhës shqipe.

Pavarësisht se poezia e saj, ka si parardhje të rëndësishme historike, poezinë arbëreshe të traditës, nuk është vazhduese tipike e kësaj tradite, por orientohet nga pikëvështrime kulmore te problemet sociale të ditës, marrëdhëniet e komunikimit, te natyra, duke shmangur me zgjuarsi çdo “deklamim patriotik”, të cilin e hasim rëndom në poezinë e sotme përtej kufijve të “atdheut zyrtar”. Edhe atëherë kur endet në motivet shqiptare, është në raporte të një vërtetësie të skajshme, larg miteve e artificeve, duke prekur mbi të vërtetat që edhe ne vetë e kemi vështirë ti pohojmë. 

Këto ndjesi përjetoja tek rendisja poezitë, e bashkë me to dhe shpirtin e sinqertë të Marg Shilipas. Andaj vendosa që veç vargjeve ta përcillja Marga[ritën] edhe me dimensionin njerëzor. Nëse edhe ju, do të lexoni me kujdes këtë opus poetik duke depërtuar brenda rrjedhës letrare, do të konstatoni se ajo e përpunon fjalën si një mjeshtër filigranën dhe që si bazament të tekstit ka vetveten.

Ajo arrin të vizatojë poetikisht, gjithçka të bukur që natyra fal, duke i “përkthyer” me vargje emocionuese udhën e përjetimit. Si grua e ndjeshme ajo e vendos gishtin mbi plagët e malcuara të shoqërisë, e bindur se nëse seicila prej nesh do ta bënte me zell detyrën e saj e do të ishte në kohën dhe vendin e duhur, padyshim që kjo botë që e jetojmë do të ishte edhe me e bukur, sepse do të ishte e përkëdheluar nga duar femre.

Ajo i qëndron me bindje larg temave të mëdha, jo se janë përmasa të pa administrueshme prej saj, por ka bindjen e patjetërsueshme se njerëzorja, e thjeshta janë emocionuese deri në madhështi.  
 
E kush mund ta ledhatojë jetën dhe dashurinë më bukur se një grua me emër luleje. Margarita,  ndjekëse e zellshme e udhës krijuese dhe poezisë arbëreshë dhe italiane, vjen pa asnjë kompleks për lexuesin e saj të munguar. Edhe pse kjo poezi krijohet në hapësirat e komunetit arbëresh, nuk mund të konsiderohet lokale. Ajo është befasi. Në poezinë e sotme, ky vokal interesant ka nevojë për më shumë vëmendje.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 26 Prill 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Rama e deputetët e vjetër të PS në lista të hapura, është vendimi i duhur?



×

Lajmi i fundit

Ukraina hakmerret ndaj Moskës, e bombardon me 144 dronë, një e vrarë dhe disa të plagosur! Rusia: I rrëzuam të gjithë, mbyllen aeroportet

Ukraina hakmerret ndaj Moskës, e bombardon me 144 dronë, një e vrarë dhe disa të plagosur! Rusia: I rrëzuam të gjithë, mbyllen aeroportet