Presidenti Bajram Begaj, zhvilloi një vizitë në Kirgistan ku u prit nga  Presidenti Sadyr Zhaparov. Takimi u fokusua në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Në takim u shpreh angazhimi për  përshpejtimin e procedurave për mbylljen e marrëveshjeve në proces mes dy vendeve tona dhe forcimin e marrëdhënieve në fushat me interes të dy vendeve.

Presidenti shprehu bindjen se kjo do t’i shërbejë forcimit të miqësisë e besimit mes dy popujve tanë.

“Dy vendet do të afrohen më shumë me njëri-tjetrin nëse i bëjne qytetarët e tyre të njohin më shumë njëri-tjetrin. Vendosja e linjës ajrore që lidh drejtpërdrejt Tiranën me Bishkekun do t’i shërbente shumë këtij qëllimi”, tha  Presidenti Begaj.

Një shtysë e rëndësishme për avancimin e këtyre marrëdhënieve ishte dhe Deklarata e Përbashkët e nënshkruar nga residenti Begaj dhe Zhaparov. Begaj dhe homologu i tij u shprehën pro mundësisë për të vijuar bashkëpunimin brenda organizatave ndërkombëtare.

Begaj i përcolli  Presidentit Zhaparov përgëzime për zgjedhjen e Kirgistanit si anëtar jo i përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB- së në mandatin që fillon më 1 janar 2027 duke shprehur bindjen se në këtë pozicion Kirgistani do të jetë i suksesshëm në mbrojtje të vlerave të Kombeve të Bashkuara.

Presidenti Begaj mori pjesë dhe përshëndeti Forumin Ndërkombëtar të Isyk-Kulit, të themeluar në vitin 1986 me nismën e shkrimtarit dhe filozofit kirgiz Chingiz Aitmatov, duke vlerësuar përpjekjen e tij për të krijuar një hapësirë dialogu intelektual mes Lindjes dhe Perëndimit dhe duke theksuar se fuqia e mendimit intelektual mbetet themelore për ndërtimin e mirëkuptimit, paqes dhe një vizioni të përbashkët për të ardhmen.