Begaj në Samitin e Diasporës: I kemi të gjitha mundësitë për të shkruar një kapitull të ri me arbëreshët! Ruajtën me krenari gjuhën e të parëve

 

Presidenti Bajram Begaj, mori pjesë sot në Kuvendin Arbëresh të mbajtur në Tiranë si pjesë e Samitit të Diasporës. Gjatë fjalës së tij Kreu i Shtetit theksoi nevojën e hapjes së një kapitulli të ri bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe arbëreshëve të Italisë.

"Veprimi ynë duhet të jetë imediat dhe përgjegjësi historike, sepse pasojat do të prekin edhe brezat e ardhshëm", - deklaroi Presidenti i Republikës, i cili theksoi nevojën emergjente të angazhimit për ruajtjen dhe lëvrimin e arbërishtes, si një gjuhë që për shqiptarët është çështje identitare. Kreu i Shtetit theksoi rëndësinë e një platforme gjithëpërfshirëse për projekte konkrete në shërbim të forcimit të identitetit kombëtar, të ruajtjes dhe të përcjelljes së trashëgimisë tonë kulturore ndër breza.

Gjithashtu, vlerësoi krijimin e Qendrës për Studime dhe Publikime për Arbëreshët dhe apeloi për mekanizma që krijojnë kushte për zgjerimin e studimeve albanologjike. Presidenti i përgëzoi nismat e përfshirjes së arbërishtes në shkolla, në programet e Rai Kalabria dhe iniciativën e Radio-Televizionit Publik Shqiptar për hapjen e një kanali televiziv për Diasporën, ku sigurisht do të promovohet edhe gjuha dhe kultura arbëreshe.

"Natyrisht, një marrëdhënie e strukturuar duhet të përfshijë të gjithë aktorët në Shqipëri dhe Itali, si: institucionet akademike, shoqërinë civile, organet e pushtetit vendor dhe qendror dhe aktorë të jetës së përditshme kulturore arbëreshe, sepse sfidat janë të tilla, që kërkojnë bashkëpunim dhe bashkërendim".

Begaj përgëzoi profesorët Francesco Altimari dhe Matteo Mandala për përkushtimin e tyre në hartimin e dosjes "Moti i Madh", të dorëzuar për aplikim në UNESCO.

"Natyrisht, në kuadrin e bashkëpunimit nuk duhet të neglizhohet edhe bashkëpunimi ekonomik, i cili mund të zgjerohet në fusha, si: turizmi, kultura, bujqësia, industria ushqimore apo në fusha të tjera me interes të ndërsjellë".

Si pjesë të bashkëpunimit të ri Presidenti propozoi edhe hapjen e një muzeu për Arbëreshët në Shqipëri.

"Ne shqiptarët kemi nevojë për të mos harruar. E kaluara, sidomos kur i mbijeton historisë dhe arrin në aktualitet, duhet mësuar. Shembulli i arbëreshëve duhet të jetë nxitje që sot të bëjmë më shumë për Shqipërinë, jo të përkëdhelim ndërgjegjen duke u krenuar me bëmat e brezave paraardhës. Ata e bënë të tyren. Tani është radha jonë".

Gjatë fjalimit, Presidenti Begaj ndau me të pranishmit edhe përshtypjet e vizitës së tij zyrtare disaditore në Kalabri, ku përmendi virtytet e komunitetit, si: mikpritjen, atdhedashurinë dhe ruajtjen e traditës, të cilat shpërfaqen në të gjitha ngulimet arbëreshe. 


Lajmi kryesor:

Samiti III i Diasporës, 'mbledh në një, Shqipërinë dhe shqiptarët'! Rama: Do ngrihet Muze për Arbëreshët në Kalanë e Skënderbeut! Sylvinho nderohet me 'Shqiponjën e Artë'


B.K/KT/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja