Begaj pret gjeneralin amerikan Cavoli: Shqipëria, ambicie për të rigjallëruar industrinë e mbrojtjes

Begaj pret gjeneralin amerikan Cavoli: Shqipëria, ambicie për të rigjallëruar industrinë e mbrojtjes

1726586577_begaj.JPG

Gjenerali Christopher G. Cavoli dhe Presidenti Bajram Begaj 

'Shqipëria ka ambicie për të rigjallëruar industrinë e mbrojtjes'. Këtë e ka bërë me dije Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ditën e sotme gjatë një takimit me Komandantin e Komandës Supreme të Aleatëve në Evropë, Gjeneralin Christopher G. Cavoli, i cili ndodhet në Shqipëri për një vizitë zyrtare.

Presidenti Bajram Begaj theksoi gjatë bisedës me Gjeneral Cavolin edhe nismat dhe investimet e ndërmarra, si edhe ofrimin e Porto Romanos si bazë e NATO-s.

“Bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë është shumë i rëndësishëm dhe e vlerësoj shumë rolin që luan Komanda Evropiane e SHBA-së në nxitjen e bashkëpunimit tonë dhe mbështetjen e Forcave të Armatosura të Shqipërisë”,  u shpreh Presidenti Begaj.

Gjatë takimit u bisedua për forcimin e partneritetit strategjik, në një kohë, të cilën Presidenti Begaj e konsideroi si “të paprecedentë për sigurinë”,  duke iu referuar agresionit rus në Ukrainë dhe konfliktit në Lindjen e Mesme.

“Këto konflikte kanë ndikimin e tyre negativ edhe në Ballkanin Perëndimor, një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën”, u shpreh Presidenti Begaj, i cili theksoi se Shqipëria është e angazhuar në përmbushjen e detyrimeve të Forcave të Armatosura për planin kombëtar të mbrojtjes, atë rajonal të paqes, sigurisë dhe stabilitetit, si dhe mbrojtjes kolektive në përputhje me modelin e Forcave të NATO-s.

Gjatë bisedës me Gjeneral Cavolin, Presidenti i Republikës i përcolli Komandantit Suprem të Aleatëve në Evropë mirënjohjen për punën e kryer si SACEUR në mbrojtjen kolektive, si edhe për nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe përballë sfidave të reja me synim ruajtjen e paqes dhe sigurisë në zonën Euroatlantike dhe në arenën ndërkombëtare.

Presidenti Begaj vlerësoi ndërtimin e kapaciteteve të nevojshme dhe zhvillimin e Forcave të Armatosura Shqiptare, rritjen e bashkëpunimit me aleatët e NATO-s, të bazuara në angazhimet e përbashkëta dhe vizionin e vendit tonë për të rritur sigurinë transatlantike dhe për të forcuar stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Një mirënjohje të veçantë Presidenti Begaj përcolli për punën e kryer nga KFOR-i në Kosovë, duke shprehur njëherazi mbështetje ndaj këtij misioni për sigurinë në Kosovë dhe rolin si garantues për paqen dhe stabilitetin në rajon.


Lajmi kryesor:

Gjenerali amerikan vizitë zyrtare në Tiranë, takon presidentin dhe kryeministrin! Rama: Porto Romano si bazë e aleancës, gati të lehtësojmë ndërhyrjet e NATO-s në Korridorin 8


S.B/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion