TIRANË- Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mbajti sot (23 Janar) pritjen e fillimvitit me përfaqësuesit e Trupit Diplomatik të akredituar në Shqipëri.
Kreu i shtetit falënderoi selitë diplomatike në Tiranë, përfaqësuesit dhe shtetet e tyre, për kontributin e dhënë ndaj Shqipërisë deri tani, kryesisht në procesin e reformës në drejtësi, demokracisë dhe integrimit drejt Bashkimit Europian.
Ai e cilësoi momentin ku ndodhet vendi ynë si ‘tregues vlerësimi dhe vendosmërisë për transformimin tonë drejt integrimit europian’.
“Nuk është vetëm ambicie politike, por lidhet edhe me vlerat e shenjta për ne. Mbetet për ne projekt madhor i paqes, mirëqenies dhe zhvillimit. Të angazhuar për reformat e thella dhe prioritet kryesor për të ardhmen e vendit. Integrimi Europian është e vetmja alternativë për Shqipërinë. Dëshmi e vlerësimit për reformat e Shqipërisë. Përkushtim për të avancuar në këtë proces transformues drejt përkatësisë evropiane. Jemi të angazhuar për kryerjen e reformave të thella, prioritet kryesor për të ardhmen e vendit”, u shpreh Begaj para trupës diplomatike.
Presidenti vuri në dukje edhe faktin se shqiptarët janë populli me mbështetjen më të lartë ndaj SHBA-ve, BE-së dhe institucioneve ndërkombëtare të tjera. Ndërsa theksoi se integrimi europian nuk dhurohet por arrihet me rezultate, kreu i shtetit shprehu edhe mbështetjen ndaj Kosovës dhe shqiptarëve atje, sikurse edhe diasporës në rajon.
“Integrimi dhe shteti i të drejtës nuk dhurohen, por janë proces i rezultateve konkrete dhe të prekshme. Rajoni mbetet pikë e rëndësishme për politikën shqiptare. Shqipëria dhe faktori shqiptar do avancojnë kursin euroatlantik dhe avancimin europian. Mbështetje pa kushte ndaj Kosovës për integrim dhe njohje të reja. Shqiptarët kudo në diasporë mbeten në vëmendjen tonë për integritetin kombëtar dhe të drejtat e tyre. Samiti i Berlinit ka forcuar angazhimin tonë për integrim europian”, u shpreh Begaj.
Përsa i përket gjeopolitikës dhe rolit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, presidenti vuri në dukje se Tirana zyrtare ka dënuar me forcë agresionin e Rusisë në Ukrainë dhe ndodhet më pranë NATO-s me misione dhe bazat e reja në vend.
“Kemi dënuar me forcë agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës. Mbrojtje e të drejtave të njeriut në nivel ndërkombëtar. Mbështetje misioneve tona në NATO. Shqipëria është partner i besueshëm në aleancën e NATO-s. Kjo duket edhe në hapjen e bazës ushtarake në Kuçovë i NATO-s dhe porti në Porto Romano. Forcimi i Aleancës Euroatlantike duhet të jetë prioritet. Një NATO e fortë dhe e përbashkuar do të kontribuojë në përballjen e çdo sfide”, u shpreh ai.
Begaj nuk harroi edhe drejtësinë dhe mbështetjen që i është dhënë nga faktori ndërkombëtar.
“Cilësia e sistemit të drejtësisë në çdo shkallë të saj dhe lufta ndaj krimit të organizuar e korrupsionit mbeten prioritet. Falenderim të veçantë për SHBA për kontributin e dhënë për drejtësinë në Shqipëri. Uroj që ky vit dhe dialogu mes partive politike të arrijë në një nivel tjetër. Prioritet, cilësia e sistemit të drejtësisë dhe lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Falënderim SHBA-së për kontributin në konsolidimin e sistemit të drejtësisë. Sfidë, cilësia e dialogut politik. Të ndiqet modeli i dialogut ndërkulturor e fetar. Dialogu midis partive politike të kthehet në normalitet të jetës politike në vend”, tha presidenti.
Në fund ai foli për politikën dhe votën e emigrantëve, duke e cilësuar si një borxh të vjetër që shteti ia kishte shqiptarëve në Diasporë. Kurse zgjedhjet e 11 Majit i vlerësoi si një test.
“Votën e diasporës politika ia kishte borxh shqiptarëve jashtë vendit. Zgjedhjet janë test pjekurie dhe më shumë se rezultati mbeten respektimi i standardeve që garantojnë zgjedhje të lira, të drejta. Turizmi prioritet afatgjatë për zhvillimin. Ju falënderoj për rolin tuaj dhe ju uroj një vit të mbarë dhe të suksesshëm”, përfundoi presidenti.