Presidenti Bajram Begaj, priti sot në një takim Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen që po zhvillohet në Kolegjin e Mbrojtjes dhe Sigurisë të Forcave tona të Armatosura.
Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve të sigurisë kombëtare, ushtarake shqiptare dhe vendeve aleate e partnere nga Bullgaria, Greqia, Turqia, Italia, Hungaria, Kroacia, Kosova, Polonia dhe Jordania, të cilët janë pjesë e një prej programeve më të rëndësishme që ofron sistemi arsimor ushtarak shqiptar.
Presidenti Begaj përgëzoi Kolegjin e Mbrojtjes dhe Sigurisë për zhvillimin e këtij kursi, teksa vlerësoi frymën e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit, ndërtimin e besimit dhe krijimin e lidhjeve midis përfaqësuesve të profesionistëve civilë dhe ushtarakë nga agjenci dhe vende të ndryshme.
Bashkëbisedimi u fokusua në temat që lidhen me zhvillimet gjeopolitike, sigurinë dhe rëndësinë e bashkëpunimit midis partnerëve dhe aleatëve, siç përfaqëson përbërja e këtij kursi.
Presidenti theksoi rëndësinë që ka për Shqipërinë stabiliteti dhe siguria në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kreu i Shtetit theksoi se në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pavarësisht progresit të madh drejt integrimit Euroatlantik, zhvillimet politike janë komplekse.
Në kontekstin e dinamikës gjeopolitike dhe konflikteve ndërkombëtare, Ballkani Perëndimor ka një rëndësi strategjike për Aleancën - vlerësoi Kreu i Shtetit.
Në këtë aspekt, një çështje e rëndësishme është Kosova. Begaj theksoi angazhimin e vazhdueshëm të Shqipërisë në organizatat ndërkombëtare për integrimin e Kosovës, veçanërisht për shtimin e njohjeve të saj, anëtarësimin e saj në NATO, si dhe pjesëmarrjen në misionet e Aleancës si një akt që i shërben forcimit të sigurisë në rajon.
Komente









