Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka përcjellë një urim të veçantë për të gjithë efektivët e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, që shërbejnë brenda dhe jashtë vendit, me rastin e 114-vjetorit të Pavarësisë. Nufi ka shprehur mirënjohjen për burrat dhe gratë që janë betuar përpara flamurit kombëtar, duke i cilësuar ata si vazhdues të trashëgimisë së brezave që kanë sakrifikuar për lirinë e Shqipërisë.
Urimi i plotë
"Në këtë ditë të shënuar për mbarë kombin shqiptar, dua t’u përcjell një urim të veçantë të gjithë burrave dhe grave në shërbim të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Për ju, që jeni betuar përpara Flamurit Kombëtar, kjo festë ka një kuptim edhe më të veçantë. Ju keni marrë përsipër nderin, por edhe barrën e madhe të mbajtjes së këtij flamuri, jo vetëm mbi uniformën tuaj, por edhe në ndërgjegjen tuaj, në çdo ditë të shërbimit ndaj Atdheut.
Trimëria, besnikëria dhe dashuria për lirinë kanë qenë ndër virtytet më të spikatura të shqiptarit përgjatë historisë. Breza të tërë shqiptarësh kanë dëshmuar se, kur bëhet fjalë për mbrojtjen e Atdheut, asnjë sakrificë nuk është më e madhe se detyrimi ndaj tij. Ju jeni sot vazhduesit e kësaj trashëgimie dhe përfaqësuesit e këtyre virtyteve.
Në këtë 28 Nëntor, dëshiroj të shpreh mirënjohjen dhe respektin tim më të thellë për secilin prej jush ne Forcave tona të Armatosura, kudo ku shërbeni, brenda apo jashtë kufijve të Shqipërisë.
Në një ditë kur të gjithë shqiptarët krenohen me Flamurin Kombëtar, ju meritoni një nderim të veçantë, sepse keni zgjedhur që krenarinë për të ta ktheni në detyrë, dashurinë për Atdheun në shërbim dhe besnikërinë ndaj Shqipërisë në një betim që ju shoqëron gjatë gjithë jetës.
Gëzuar Festën e Flamurit, ju dhe familjeve tuaja!
Nder dhe respekt për të gjithë ata që i shërbejnë Atdheut!
Lavdi Flamurit Kombëtar!'
Lajmi kryesor:
Politika uron 114 vite shtet, Rama: Më afër BE se kurrë! Rubio: Partneritet i fortë! Veliaj e Meta urojnë nga qelia, mesazhe edhe nga Kosova e NATO










