Unitet për interesin kombëtar, ishte mesazhi i Presidentit Bajram Begaj gjatë vizitës së tij në Luginën e Preshevës.
Në takimet me Kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani, Kryetarin e Bujanovcit, Arbër Pajaziti, Kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi dhe me deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, Begaj u shpreh se liderët politikë duhet të bashkohen kur bëhet fjalë për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës.
“Të drejtat dhe liritë e shqiptarëve në Luginën e Preshevës e kudo ku ata jetojnë duhen të respektohen, shqiptarët duhet të jetojnë këtu, të mos diskriminohen, gjuha shqipe të përdoret pa drojë e frikë, kultura, vlerat, identiteti dhe traditat të mbrohen dhe promovohen“, tha Begaj.
Kreu i Shtetit garantoi se do të jetë një zë i të drejtave të Luginës së Preshevës në çdo insitucion ndërkombëtar.
“Institucioni që përfaqësoj do të mbetet gjithmonë një mbështetës i nismave që forcojnë bashkëpunimin kulturor, promovojnë librin në gjuhën shqipe dhe krijojnë ura komunikimi ndërmjet shqiptarëve kudo që jetojnë“, vijoi presidenti.
Gjatë vizitës në Luginën e Preshevës, kreu i shtetit vlerësoi faktorin shqiptar në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, si faktor paqeje stabiliteti dhe bashkëpunimi.
Komente










