Behar Gjoka: 450-vjetori i lindjes 
të shpallet Viti i Pjetër Budit

Behar Gjoka: 450-vjetori i lindjes <br />të shpallet Viti i Pjetër Budit
Ndërkohë që në Shqipëri festohet 400-vjetori i dramaturgut të madh anglez Shekspir, jo të gjithë mund të harrojnë se 450 vjet më përpara, pra 50 vjet më parë se të lindte Shekspiri, ka lindur poeti i madh i shqiptarëve Pjetër Budi.
 
Ai u lind më 1566 dhe ndërroi jetë më 1622.

Lënia jashtë vëmendjes nga institucionet e këtij jubileu të madh të ditëlindjes së Pjetër Budit, nuk ka motive justifikimi.
 
Drejtori i Qendrës Shqiptare të Studimeve Letrare “Pjetër Budi” në Tiranë, Behar Gjoka, autor i librit “Poetika e Budit”, ka bërë gjithçka për ta festuar ditëlindjen e 450-të.

"Budi ka 450- vjetorin e lindjes. Në këtë jubile të madh ne e përkujtojmë për veprën dhe në trojet ku pati jetuar, e kujtojmë në shtëpinë e tij dhe të mos harrojmë që shtëpia e Budit është monument kulture. Nuk duhet harruar ditëlindja, ashtu siç nuk duhet harruar vepra e tij dhe kontributi i tij nga të gjitha institucionet kulturore dhe akademike. Për trashëgiminë e madhe që la pas, është e natyrshme që Budi të ketë vetëm ditëlindje”, tha studiuesi Behar Gjoka, i cili apelon se “450-vjetori i lindjes duhet të shpallet Viti i Pjetër Budit”.

Aktiviteti për Pjetër Budin u zhvillua së bashku me shoqatën Historike Kulturore “Dilaver Kurti" të Matit.
 
pjeter budi

shtepia

shtepia
Foto të tjera

Shtëpia ku lindi Pjetër Budi

U gjet i përshtatshëm që ky aktivitet të mbahej në kuadrin e 23 prillit, Ditës Ndërkombëtare të Librit. E kush tjetër do të kishte më shumë merita për t’u kujtuar në ditën e librit. Behar Gjoka së bashku me grupin organizator trokitën në derën e vjetër të Budëve. Kjo ishte veprimtaria e parë përkujtimore e ditës pas një udhëtimi të gjatë e jo pak të vështirë, të paktën për turistët që kanë shumë dëshirë të shkojnë asaj ane.
 
Në vatrën ku lindi Pjetër Budi
Mbërritëm në shtëpinë e shkrimtarit, në Gur të Bardhë. Trokitëm në atë derë që Budi ka lindur, siç e ka pohuar me gojën e tij “U linda në derën e Budëve të vjetër”.
Ende ka trashëgimtarë të Budëve të vjetër, të cilët pas ndërrimit të fesë nga katolikë në myslimanë tashmë quhen Bode. Vizita u bë rreth orës 10.00-11.00 paradite.
Në shtëpi na pritën Sofie Bode, e zonja e shtëpisë, ndërsa i zoti i shtëpisë, Xhelal Bode ishte në Itali. Erdhi aty një tjetër nga pasardhësit e Budëve, kushëri me ta, Osman Bode. Ai rrëfeu se “dera e Budëve që nga Pjetër Budi i madh sot ka 160 breza trashëgimtarësh”.

E zonja e shtëpisë Sofie Bode tani që ka mësuar se kush është në të vërtetë Pjetër Budi dhe çfarë përfaqëson vatra ku ai lindi ndihet krenare dhe e gëzuar. “Kanë ardhur edhe profesorë nga Gjermania këtu në shtëpinë tonë”, thotë Sofia Bode.

Shtëpia është mirëmbajtur për të banuar trashëgimtarët, por jo me vlerat monumentale. Për fat të keq hap pas hapi materialet që përfaqësojnë monumentin kanë nisur të zëvendësohen me materiale të çfarëdoshëm nga të zotët e shtëpisë. Tavani është bërë më pllaka plastike, dyshemeja është shtruar me pllaka qeramike industriale. Për restaurime të jashtme as që bëhet fjalë, ndërsa për nevoja jetese familja Bode bënë ndërhyrje që të vjen keq se nuk duhet të ishin lejuar në një Monument Kulture. Por s’mund të bëhen me faj për këtë të zotët e shtëpisë. Mirëmbajtja dhe restaurimi i takon Institutit të Monumenteve të Kulturës. Kalldrëmi mbi 500-vjeçar ku ka shkelur këmba e Budëve dhe të parëve të tij është ende aty. Rreth dhjetë Monumente të Kulturës që shënjojnë rrugën e vjetër të Arbrit dhe historinë e vjetër janë jo shumë larg kësaj shtëpie. Urat, kishat, varret e lashtë janë aty rrotull si një dokument historik i lënë pas dore.
 
Erdhën shumë vizitorë në shtëpinë e Bodëve me ardhjen e mysafirëve nga Tirana dhe Klosi. “Faleminderit për vizitën, Budi sot u ngjall” thanë të zotët e shtëpisë të emocionuar. Një vajzë 15-vjeçare me rastin e manifestimeve demonstron plot hijeshi kostumin tradicional të grave të Gurit të Bardhë. Është paksa ndryshe nga kostumi etnik i Matit, sepse ka elementë të një kostumi qytetar të kohës me pjesë të punuara me mëndafsh të fustanit, ku ruhen motivet etnike të jelekut të punuar i gjithi me fije ari.
 
“Elementët e këtij kostumi tregojnë se Guri i Bardhe ka qenë një qytezë, dhe jo fshat”, thotë studiuesi Gjoka. Të tjerët kujtojnë se Guri i bardhë apo Petralba siç e quanin të huajt ka qenë rezidencë e Gjergj Katriotit, Skënderbeut.

 
Përkujtohet Budi patriot, bari shpirtëror dhe shkrimtar

Pasi flitet për vlerat e shtëpisë Monument Kulture, vatrën që lindi Pjetër Budin, poeti dhe prozatori i parë i letrave shqipe, në orën 12.oo u bë kthimi në Klos, ku në një nga sallat e bibliotekës së qytetit Klos u mbajt konferenca përkujtimore me temë: “Figura dhe vepra patriotike, fetare dhe letrare e Pjetër Budit”.
 
Në këtë veprimtari nën moderimin e Blerta Gjokës referuan Alfred Frashëri, Hysni Ndreu, Behar Gjoka, Aqif Ymeri, Gjok Dadaj, etj. Aktiviteti mori përmasa të gjera manifestimi, ku u shfaq edhe një dokumentar për Budin, u recituan vargje të tij nga nxënësit dhe studentët. Erdhi i gjallë imazhi i Budit, falë kontributit në këtë organizim edhe të deputetit Bedri Hoxha.
 
Gjatë kumtesave u përmend letra që Budi i dërgoi kardinal Gocadinit, e cila zbulon misionin kryesor për të cilin Budi udhëtoi në vitin 1621 drejt Romës. Ai shkoi në Romë si zëdhënës i kërkesave të shqiptarëve dhe të kërkonte ndihma. “Letra e Budit është një projekt i një kryengritjeje të armatosur që një klerik ia drejton një kardinali dhe organeve të administratës kishtare për të kërkuar ndihmë për popullin e tij, që të çlirohej nga zgjedha e huaj. Ai ndër të tjera shkruan: Kur u nisa prej këtyre vendeve, fort m'u lutën ata kryetarë fisesh, si dhe disa kryetarë myslimanë, që t'ia shfaqja Papës ose ndonjë princi tjetër këtë dëshirë të tyre e t'u lutesha që të na sigurojnë mbrojtje e ndihmë … për t'u çliruar. Dhe jo vetëm të krishterët, por edhe të parët e myslimanëve… Të gjithë duan të dalin një herë e mirë prej kësaj gjendjeje të mjeruar ose të vdesin me armë në dorë.”, kujtoi gjatë referencës së tij Behar Gjoka. Gjoka iu referua edhe kontributit letrar të Pjetër Budit duke përmendur vlerën e dyfishtë të veprës “Pasqyra e t’rrëfyemit”. "Me këtë vepër zë fill letërsia kombëtare dhe fillimi i gjuhës letrare kombëtare”, tha Gjoka.
 
Studiuesi Gjoka kujtoi se veprimtaria e Budit e kapërcente cakun e krahinës së vet. “Qysh në moshën 21 vjeç shugurohet prift dhe shërben në Kosovë për 29 vite.
Ai merr rrugën e kërkimit të mbështetjes me financa dhe armatime, në Spanjë, Francë, Poloni, etj. Kërkon ndihmë për luftë të përbashkët kundër hordhive osmane. Po merret nga ana tjetër lufton edhe për ruajtjen e gjuhës shqipe. Nga viti 1616 deri në 1621 qëndron në Romë dhe boton veprat Doktrina e Kërshtenë, Pasqyra e t’Rrëfyemit dhe Rituali Roman. Prej kohësh, nga studimet letrare është pranuar dhe pohuar që është poeti dhe prozatori i parë i letrave shqipe
”, theksoi Gjoka.
 
Gjatë diskutimeve në këtë përkujtimores një çështje që duhet ta zgjidhin historianët është edhe vdekja e Budit. Si vdiq dhe kush e pse e vrau. Vdekja e tij shpjegon edhe sakrificën e tij si patriot e meshtar i gjuhës shqipe.
 
Në dhjetorin e largët, 1622, Budi mbytet, vdekja e tij nuk ishte aksidentale, por e projektuar prej kohësh. Ende historia e emërton vrasjen e tij, si aksident, ndërsa Frang Bardhi, më 1642, sillte argumente të qarta se ishte një zhdukje në valët e Drinit. Budi ka qenë gjurmuar qysh nga viti 1616, kur shkon për herë të parë në Romë. Me të ishte dhe Nikollë Leka, e deri ditën kur u nda nga jeta”, deklaroi Gjoka, duke theksuar më tej edhe disa nga vlerat e çmueshme të Budit.

Budi, është martir i gjuhës shqipe, është poeti pa varr, është heroi që dha jetën për fjalën shqipe, si bari shpirtëror dhe si shkrimtar”, tha Gjoka në fjalën e tij. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

'Ura e dëmtuar e Rilindjes', Berisha del bllof sërish me postimin e Qytetarit Dixhital! Publikon pamje që nuk ndodhen fare në Shqipëri

'Ura e dëmtuar e Rilindjes', Berisha del bllof sërish me postimin e Qytetarit Dixhital! Publikon pamje që nuk ndodhen fare në Shqipëri