BE-ja konfirmon pjesëmarrjen e Kosovës dhe Serbisë në takimin për dinarin

BE-ja konfirmon pjesëmarrjen e Kosovës dhe Serbisë në takimin për dinarin

Foto ilustruese

Bashkimi Evropian ka konfirmuar pjesëmarrjen e delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në një takim në Bruksel më 27 shkurt për çështjen e ndalimit të dinarit në Kosovë.

Nga Kosova konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se ftesës së BE-së i është përgjigjur pozitivisht Banka Qendrore e Kosovës, pa dhënë emra se kush do të jetë pjesë e delegacionit. Por, Radio Evropa e Lirë merr vesh se Kosova në takim do të përfaqësohet nga guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili. Ndërkaq, sipas medias serbe, Tanjug, në takimin e 27 shkurtit, Serbinë do ta përfaqësojë kryenegociatori serb në dialogun Kosovë-Serbi, Petar Petkoviq.

BQK-ja tha se edhe më herët ka shprehur gatishmërinë që të takohet me përfaqësuesit e Bankës Popullore të Serbisë, për të lehtësuar transferimin e parave, përmes kanaleve bankare, pas hyrjes në fuqi të rregullores së saj më 1 shkurt, e cila arasheh që vetëm euroja të jetë valuta për pagesa me para të gatshme.

“Në këtë kuptim, [BQK-ja] edhe i përgjigjet ftesave kur janë të nevojshme, për takime të tilla informuese, siç edhe ka bërë në vazhdimësi edhe me prezencën ndërkombëtare në vend”, u tha në përgjigjen e BQK-së dërguar REL-it.

Ndërkaq, zëdhënësja e Komisionit Evropian për çështje të politikës së jashtme, Nabila Massrali, nuk saktësoi se kush do të marrë pjesë, por tha se takimi do të jetë “në formatin e zakonshëm të dialogut” dhe në të do të flitet për “gjetjen e zgjidhjeve”.

Javën e kaluar, kryenegociatori i Kosovës në dialog, Besnik Bislimi, ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në takim, duke e akuzuar të dërguarin evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, se ka shkelur parimin e caktimit të agjendës së takimit, pa pajtimin e palëve.

“Ajo që unë mund të them është se po, do të kemi takim nesër. Takimi i nesërm është takim i dialogut, i cili do të fokusohet në zgjidhjet e çështjeve të hapura lidhur me vendimet e fundit për qarkullimin e valutave nga BQK-ja”, tha Masralli.

Sipas BE-së, takimi do të nisë në mëngjes dhe do të ketë rrjedhën e njëjtë të takimeve në formatin e zakonshëm të dialogut.

“Dhe po, të dyja palët kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre”, tha zëdhënësja duke shtuar se detajet për takimin do të jepen më vonë.

Bashkimi Evropian po kërkon që çështja e ndalimit të dinarit serb të zgjidhet përmes dialogut.

Shtetet e Bashkuara, ndërkaq, po kërkojnë që Kosova të shtyjë zbatimin e këtij vendimi, pasi ka argumentuar se ai është marrë pa konsultime paraprake dhe pa pasur për bazë ndikimet negative te popullata serbe në Kosovë.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se rregullorja do të zbatohet përmes një tranzicioni të lehtësuar, jo më të gjatë se tre muaj, ndërkaq kryeministri Albin Kurti, ka insistuar se vendimi nuk do të zhbëhet.

Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre në dinarë – përmes një sistemi paralel - rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë./ REL

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë