Bejleri s’mohon akuzat, konteston përgjimin. Misteri i celularit ‘eksploziv’

Bejleri s’mohon akuzat, konteston përgjimin. Misteri i celularit ‘eksploziv’

Fredi Beleri

Me gjithë paralajmërimet dhe kërcënimet e kryeministrit grek Mitsotakis ndaj drejtësisë së re shqiptare për lirimin ose të paktën për betimin në burg si kryetar bashkie i Himarës të Fredi Bejlerit, drejtësia e re nuk ka ceduar në vendimin e saj. Duke zgjedhur të bazohej në ligj.

Kështu dhe sot, Gjykata e Posaçme e Apelit e ka lënë në qeli Fredi Bejlerin, i akuzuar për shit-blerje votash dhe të kapur në flagrancë në një akt të tillë, vetëm disa ditë para 14 majit, ditës së zgjedhjeve të përgjithshme për pushtetin vendor në Shqipëri.

Vendimi i sotëm i Gjykatës rrëzon për herë të gjashtë kërkesën e Bejlerit për ndryshimin e masës së sigurisë, ndërsa si gjithnjë seanca u ndoq nga ambasadorja greke dhe kreu i PBDNJ Dule.

Pra drejtësia e re shqiptare po vepron konform misionit për të cilin është ngritur, me mbështetjen e fortë të partnerëve tanë ndërkombëtarë, SHBA dhe BE. Pra dhe me mbështetjen e vetë Greqisë ai anëtare e Unionit Evropian, një drejtësi që ka marrë vlerësimet më të larta të aleatëve tanë, për ngritjen e ‘stekës’ në goditjen e korrupsionit dhe në nivelet më të larta të qeverisjes.

Kujtojmë këtu se përpos kryetarit të zgjedhur të bashkisë së Himarës, Fredi Bejleri, janë në burg të akuzuar për korrupsion dhe ish ministri Lefter Koka, ish deputeti i PS Bllako, është në kërkim ndërkombëtar ish zv.kryeministri Arben Ahmetaj dhe nën arrest janë disa krerë bashkie të PS. Madje ka dhe zyrtarë përfaqësues të PS që janë dënuar dhe për një arkë peshk, arkë të cilën as nuk e morën. Pra s’është bërë asnjë lloj përzgjedhjeje apo dallimi politik apo etnik mes zyrtarëve të akuzuar dhe arrestuar. Mund të jetë më i ‘privilegjuar’ Berisha në këtë drejtim, është ai që kandidoi Bejlerin në Himarë, por besojmë se drejtësia e re do të kthehet dhe nga dosjet e tij.

Kërkesa e Mitsotakis për lirimin e Bejlerit dhe hetimin në gjendje të lirë pasi sipas tij s’paraqet rrezikshmëri shoqërore, ka marrë dhe përgjigjen e drejtësisë, e cila në arsyetimin e njërit prej vendimeve të saj për të lënë kreun e zgjedhur të bashkisë Himarë në burg ka qënë dhe mundësia e largimit të tij për t’i shpëtuar drejtësisë ose dhe ndikimi që mund të ketë për prishjen e provave.

Ky është një shqetësim i justifikuar pasi Bejleri në akuzën e parë për pjesëmarrjen në vrasjen e komandantit dhe të ushtarëve të postës kufitare të Pëshkëpisë në vitin 1994, asnjëherë nuk u paraqit ne gjykatë, duke qëndruar sa në shtetin fqinj aq dhe në Shqipëri, i fshehur dhe larg syrit të organeve ligjzbatuese shqiptare. Derisa u arrit zhdukja e dosjes së tij. Pra injoroi drejtësinë.

Por dhe kur u dënua me 3 vite burg për thirrje nacionaliste dhe nxitje të urrejtjes, Bejleri nuk u paraqit për të vuajtur dënimin në qeli, por qëndroi i fshehur duke iu shmangur drejtësisë, derisa plotësoi afatin e parashkrimit të veprës penale. Bejleri s’ka zbatuar asnjë vendim të drejtësisë.

U shfaq publikisht vetëm kur vepra e tij penale për të cilën ishte dënuar me 3 vite burg ishte parashkruar, duke kandiduar njëherë në emër të PBDNJ dhe herën tjetër, me 14 maj 2023 si kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” nën siglën e PL dhe i drejtuar nga Meta dhe Berisha. Ndonëse shfaqi habi kjo mbështetje e Berishës dhe Metës për të, por fakt është se ndodhi.

Pra, drejtësia shqiptare e ka të argumentuar me veprimet e vetë Bejlerit, se ai është një person që nuk e njeh drejtësinë, dhe në rastin më të parë që do ishte i lirë, do t’i shmangej drejtësisë, duke injoruar jo vetëm drejtësisë, por dhe duke qënë një rrezik i vazhdueshëm për manipulimin e provave. Për më tepër që drejtësia shqiptare është “djegur” me Adriatik Llallën dhe Ahmetajn që janë larguar jashtë vendit, njëri duke shmangur vuajtjen e dënimit me 2 vite burg dhe tjetri duke shmangur hetimin për akuzat që ka në ngarkim.

Ndërkohë që kërkesa tjetër e kryeministrit grek që Bejleri të paktën të betohet si kryetar bashkie i Himarës dhe në paraburgim, është me të vërtetë e pamundur sipas ligjit. Pasi kryetari i bashkisë betohet përpara këshillit bashkiak, dhe një rrugë të vetme ka për ta bërë këtë punë: të shkojë me pranga në duar në Himarë për t’u betuar, pasi nuk futet në burg gjithë këshilli. Për më tepër që në paraburgim nuk lejohet asnjë komunikim me të burgosurin, përpos me avokatin dhe komunikimi bëhet vetëm përmes avokatit. Si mund të shkojë një i paraburgosur në mes të Himarës, në mes të mbledhjes së Këshillit bashkiak. Qoftë dhe kryetar i zgjedhur.

Ndoshta Bejleri merr shembullin betimit në paraburgim të ish deputetit të PD Azgan Haklaj, në vitin 2001. Pra merr shembullin e Berishës i cili nuk njihte asnjë lloj institucioni në atë kohë, nuk i njeh as sot. Pavarësisht se janë raste të ndryshme dhe s’kanë lidhje as krahasim me njëri tjetrin.

Por faktet që bëjnë diferencën në rastin e Fredi Bejlerit, janë ato që kanë të bëjnë me mënyrën se si u arrestua, ku kreu i zgjedhur i bashkisë së Himarës, me dy rekurset e bëra në Gjykatën e Lartë, pranon nën zë akuzën për blerjen e votave, fitoi me vetëm 19-20 vota diferencë ndaj kundërshtarit të tij socialist Jorgo Goro, por konteston mënyrën se si u arrestua.

Më konkretisht, Bejleri që është në qeli prej 12 majit i është drejtuar gjykatës së lartë me dy rekurse, pranimi i të cilëve do t’i mundësonte sipas tij, lirinë dhe betimin si kryebashkiak. Në njërën prej tyre, Bejleri kërkon vlerësimin të paligjshëm të arrestit të tij në flagrance e prishjen e vendimit të Gjykatës së Vlorës për përcaktimin e masës së parë “arrest në burg” ndaj tij. Ai thotë se u arrestua në një vend tjetër, ndonëse nuk bën fjalë për kundërshtim akuze për blerje votash. Thjeshtë thotë se nuk u arrestua në flagrancë, me lekë në dorë.

Ndërkohë që në rekursin tjetër kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës kërkon të shpallen të paligjshme përgjimet e kryera nga Prokuroria e Vlorës për lejimin e përgjimit të fshehtë fotografik audio e video të personit të infiltruar me persona të tjerë, të paraqitura si prova në dosje. Pra konteston mënyrën e përgjimit, i cili çoi dhe në arrestimin e tij në flagrancë.

Me sa duket nuk ia fal vetes që një i infiltruar nga organet ligjzbatuese komunikoi me njerëzit e tij dhe me vetë Bejlerin, në lidhje me pazarin për votat e 14 majit. Bashkëpunëtori i drejtësisë që ka firmosur marrëveshje bashkëpunimi me autoritetet ligjzbatuese shqiptare, hyri në diskutim me Bejlerin pesë ditë para zgjedhjeve. Pasi janë dhënë 400 mijë lekë të vjetra për tetë persona.

Sipas informacioneve, ai i tha se kishte 8 persona dhe nga përgjimi ambiental bien dakord që do u jepeshin nga 50 euro secilit. Në një moment në bisedë e sipër i dyshuari i thotë bashkëpunëtorit të drejtësisë se nëse e bën këtë, do t’i jepte 400 mijë lekë për tetë votuesit dhe 300 atij vetë. Më pas se për ta bindur i është treguar dhe lista e zgjedhësve që bashkëpunëtori i drejtësisë tha se i kishte gati.

Ndihmësi i Bejlerit është personi që në vëzhgimet ambientale ia çon paratë bashkëpunëtorit të drejtësisë. Ky i fundit u vonua në takim dhe në një moment ndihmësi e telefonon vetë Bejlerin duke i treguar se personi s’gjendej aty. Bejleri shprehet “prit një minutë” dhe më pas bashkëpunëtori i drejtësisë shfaqet në vendtakim për të marrë paratë nga ndihmësi i Bejlerit.

Sipas hetimit rezulton që paratë për tetë vota u dhanë në një ËC. Pra Bejleri akuzohet t’i ketë ofruar personit të infiltruar nga organet ligjzbatuese nga 50 euro për çdo person që do ta votonte në zgjedhje, si edhe një shpërblim prej 300 euro për të. Dhe pikërisht përgjimin konteston ai.

Kjo është një skemë që përdoret nga organet ligjzbatuese në të gjitha vendet e botës, si mënyrë për arrestimin e keqbërësve. Kanë rënë në ‘grackë’ deri dhe zyrtarë shumë të lartë të shteteve më të fuqishme, dhe arrestimi i tyre është bërë në kushtet e flagrancës, jo më Bejleri që i bënte gjërat hapur, teksa premtonte dhe pasaporta greke e deklaronte misionin e tij për helenizimin e Himarës dhe të Jugut të Shqipëri. Vepra penale këto që në një vend normal me drejtësi normale, do të përbënin një dosje më vete hetimi dhe përballjeje me drejtësinë.

Ajo që nënvizojmë në fund të herës është se Bejleri nuk ka shumë konteste për akuzën e blerjes së votave, por për anën ‘estetike’ të arrestimit të tij, duke kundërshtuar akuzën e arrestimit në flagrancë dhe mënyrën paligjshme sipas tij, të përgjimeve të komunikimeve me ndihmësin dhe të infiltruarin, përmes ndihmësit ose direkt me personat e interesuar që të shisnin votën në këmbim të parave.

Bejleri është i bindur se arrestimi i tij në flagrancë dhe mënyra e përgjimit përmes të inflitruarit, që tashmë është bashkëpunëtor i drejtësisë, është bërë pa ‘lezet’ fare. Ndaj e ka goditur me dy rekurse në Gjykatën e Lartë, e cila gjithsesi e la në burg sërish. Sikurse Gjykata e Posaçme në seancën e ditës së hënë. Dhe Bejleri, me këto dy rekurse, na lë për të kuptuar se është ‘pajtuar’ me akuzën e shit-blerjes së votës. Thjeshtë thotë se nuk u kap me lekë në dorë dhe pse e përgjuan në këtë mënyrë, që sipas tij, është e paligjshme.

Këtë fakt duhet t’ia shpjegojnë avokatët e tij, por dhe të interesuarit e tjerë kryeministrit grek Mitsotakis, që të mos ngrejë deklarata dhe kërcënime të forta ndaj Shqipërisë për bllokim të procesit të integrimit në BE e bllokim të fondeve për vendin tonë, ndërkohë që pas dy rekurseve në Gjykatën e Lartë, Bejleri tregon se konteston vetëm mënyrën e arrestimit dhe të përgjimit, ndërsa pranon në heshtje akuzën e ngritur ndaj tij për blerje votash.

Nëse ka probleme të tjera, që kanë të bëjnë me zbërthimin e mesazheve të celularit të konfiskuar të Bejlerit, të mbushur ‘dingas’ me komunikime me zyrtarë të lartë grekë, shërbimin sekret dhe policinë greke, me zyrtarë politikë në Shqipëri që e mbështesin, përfshirë dhe ‘non grata’, si dhe me njerëz rreth tij për blerje votash e deklarata që cënojnë sovranitetin e vendit, kjo është mersele tjetër. Madje informacionet thonë se është ‘eksploziv’ fare celulari i zbërthyer, që mund të bëjë hatanë tek ata që janë përfshirë. Ndaj ka sensibilitet të lartë për zbardhjen e mesazheve.

Eshtë një histori që zbardh akoma më shumë dhe qëllimin pse Bejleri u vendos si ‘gozhda e Nastradinit’ në Himarë, në kurrizin e Shqipërisë e shqiptarëve, kush janë ata që u investuar nga brenda dhe nga jashtë në këtë mision të tij. Dhe për këtë duhet të japin hesap të gjithë ata që janë pjesë e këtij skenari. Sepse Bejleri një copë kamikaz i pashkollë ka qënë dhe është. Si të gjithë ata që përdoren pafund për qëllime të mbrapshta.

B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Greqistani: 19/09/2023 17:41

    Si Kacifaqi dhe Bejleri të përdorur e të hedhur tutje. Nuk i arreston Rama këta

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë