BEJRUT, 27 korrik /ATSH-DPA/ - Forcat kurde të mbështetura nga ato amerikane kanë arritur t'i rimarrin Shtetit Islamik një qytet kyç në periferi të Sirisë, por akuzuan Turqinë, që gjithashtu po sulmon grupet ekstremiste, për bombardim të fshatrave kurde në zonë duke vështirësuar fushatën ndërkombëtare kundër grupit ekstremist.
Të paktën katër ushtarë dhe disa civilë mbetën të plagosur nga tre valët e bombardimeve turke në zonën e kontrolluar nga Njësia e Mbrojtjes së Popullit Kurd (YPG) dhe Ushtria e Lirë Siriane.
Ish-zyrtari kurd, Idriss Nassaan deklaroi se ushtarët u plagosën nga bombardimi i një baze të përbashkët në Zour Magaar, fshat rreth 30 kilometra në perëndim të Kobanes.
YPG-ja, që është dhe aleate me SHBA-në në terren në luftën kundër Shtetit Islamik në Siri, deklaroi se artileria turke ka goditur gjithashtu katër mjete të saj në lindje të Kobanes.
Qyteti i saporifituar, Sarrin, shtrihet në jug të Kobanes, afër lumit Eufrat.
Një autostradë që ndodhet aty afër ka qenë pikë kyçe që përdorej nga militantët e Shtetit Islamik për furnizime.
Kobane u kthye në shesh beteje më herët këtë vit mes ushtarëve kurdë dhe ekstremistëve të Shtetit Islamik.
Trupat turke filluan ofensivën ajrore të premten ku si shënjestër kishin Shtetin Islamik në Siri por mesa duket ajo ka devijuar nga synimi i saj duke goditur bazat e Partisë së jashtligjshme të Punëtorëve Kurdë (PKK) në Irakun Verior./  /r.b/  a.jor.