Për vitin e katërt radhazi është mbajtur në ‘Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit’ mbrëmja gala e futbollit shqiptar ku u kurorëzuan më të mirët e sezonit 2024-2025. Bekim Balaj, për të dytin vit me radhë u zgjodh fituesi i Topit të Artë’ për meshkuj, duke mposhtur konkurencën e Mario Dajsinanit, Dejvi Bregut dhe Baton Zabërgjës.
Ndërkohë Megi Doçi u shpall ‘Topi i Artë’ për vajza, ndërsa Berat Gjimshiti rrëmbeu çmimin e lojtarit më të mirë të vitit te Kombëtarja. Për Mario Mitajn shkoi trofeu ‘Zemra Kuqezi’, ndërsa në total ishin 9 çmime.
Vlen për t'u theksuar se në ceremoni mori pjesë kryeministri Edi Rama, por edhe figura të njohura ndërkombëtare futbollit si Estebian Cambiaso.

Për të dytin vit radhazi, në Mbrëmjen Gala “Topi i Artë”, ku një hapësirë e veçantë i kushtohet Kombëtares shqiptare, kapiteni Berat Gjimshiti u nderua me çmimin prestigjioz “Lojtari i Vitit i Kombëtares”.
Çmimin e veçantë ia dorëzoi Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Berat Gjimshiti udhëhoqi Kombëtaren shqiptare drejt një tjetër arritjeje historike, duke siguruar kualifikimin në fazën play-off të Kupës së Botës, ku Shqipëria, për herë të parë në histori, në mars të vitit 2026 do të tentojë të sigurojë një vend në Botëror.
Përzgjedhja e tij si “Lojtari i Vitit i Kombëtares” u bë përmes votave të vetë futbollistëve të Kombëtares shqiptare.

Kualifikimi për herë të parë në fazën play-off të Kampionatit Botëror 2026 ishte kurorëzimi i një viti historik për futbollin shqiptar. Kombëtarja ia doli të siguronte vendin e dytë në grupin K, ku ishte shortuar me Anglinë, Serbinë, Letoninë e Andorrën.
Ashtu sikurse edhe në vitin e kaluar të mbrëmjes gala, edhe këtë vit u nderua me trofeun “Zemra Kuq e Zi” një nga lojtarët e Kombëtares. Ky çmim është votuar nga të gjithë anëtarët e klubit “Tifozët e Kombëtares”.
Tifozët patën mundësi të votonin përmes një e-mail-i të dërguar nga FSHF dhe pas numërimit të votave, fitues u shpall mbrojtësi kuqezi, Mario Mitaj.
Ky trofe pasqyron vlerësimin e tifozëve për paraqitjet e tij të jashtëzakonshme dhe përkushtimin ndaj fanellës kuqezi. Trofeun ia dorëzoi Lorik Cana, ish-kapiteni legjendar i Kombëtares.
Në një fjalë të shkurtër, mbrojtësi u shpreh i lumtur dhe krenar që është vlerësuar nga tifozët me këtë trofe.

Për të dytin vit radhazi, tekniku i Egnatias, Edlir Tetova është shpallur fitues i trofeut “Trajneri i vitit 2025”, pas një tjetër edicioni të shkëlqyer me ekipin rrogozhinas, me të cilin fitoi kampionatin.
Të nominuar për të fituar këtë trofe ishin edhe trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, trajneri i Elbasanit, Ivan Gozdenoviç dhe trajneri i Bylisit, Mirel Josa.
Në Mbrëmjen Gala që po mbahet sonte në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, trajneri i ekipit Kombëtar, Silvinjo i dorëzoi trofeun e rëndësishëm, Edlir Tetovës, i cili u shpreh i lumtur që është vlerësuar me këtë çmim për të dytin vit radhazi.

Një nga momentet më të veçanta të Mbrëmjes Gala “Topi i Artë 2025” ishte shpallja e Formacionit më të Mirë të Vitit të “Abissnet Superiore”, i përzgjedhur nga gazetarët dhe opinionistët sportivë, sipas skemës 1-4-3-3.
Portieri më i mirë i vitit është Mario Dajsinani, futbollist i Egnatias dhe i Kombëtares shqiptare.
Në repartin e mbrojtjes bëjnë pjesë: Emiljan Musta (AF Elbasani), Arbenit Xhemajli (Egnatia), Naser Aliji (Dinamo City) dhe Abdurrahman Fangaj (Egnatia).
Në mesfushë janë përzgjedhur: Adnard Mehmeti (Partizani), Albano Aleksi (Egnatia) dhe Esat Mala (Vllaznia).
Treshja e sulmit përbëhet nga: Dejvi Bregu (Dinamo City), Bekim Balaj (Vllaznia) dhe Baton Zabërgja (Dinamo City).
Për shpalljen e emrave fitues në skenë ishin ish-futbollistët e njohur shqiptarë, Kreshnik Çipi dhe Mujo Targaj, të cilët dorëzuan trofetë për 11 lojtarët e përzgjedhur.
Në fund, të gjithë futbollistët u ngjitën në skenë për të tërhequr çmimet, ndërsa nuk munguan falënderimet e rastit dhe fotografia tradicionale e ekipit së bashku.

Megi Doçi është fituese e trofeut “Këpuca e Artë 2025” për vajza për edicionin futbollistik 2024-2025.
Ky trofe nuk ka pasur nevojë për votim pasi është përcaktuar në bazë të golave të shënuar përgjatë këtij sezoni. Me 83 gola të realizuar me Vllazninë, Megi Doçi është renditur në krye të listës së golashënueseve në kategorinë e vajzave.
Në mbrëmjen Gala “Topi i Artë 2025”, që po zhvillohet mbrëmjen e sotme në TKOB, ky trofe iu dorëzua Doçit nga ish-mesfushori i Kombëtares, Ervin Skela.

Fituesi i trofeut “Këpuca e Artë 2025” për djem, për sezonin futbollistik 2024–2025 është Bekim Balaj.
Siç dihet, ky trofe nuk kërkon proces votimi, pasi përcaktohet mbi bazën e numrit të golave të shënuar gjatë sezonit. Bekim Balaj ka realizuar 19 gola në këtë edicion, duke u renditur në vendin e parë në listën e golashënuesve.
Trofeu iu dorëzua sulmuesit shkodran nga legjenda e futbollit argjentinas, ish-mesfushori Esteban Cambiasso.
Komente












Bravo shkodra qe prodhon sport ! Duhet nje Kamp sportiv per ski ne Puke - Malsi madhe dhe Malsi Shkodre kjo i jep rinise sport , nje sportist sot 14 vjec pas 10 vitesh me ski sport skish te ndryshme fiton deri 150,000-800,000€ gjate karrieres! Ne sport ne basketball ka basketbollist nga Slovenia qe luajne Ne LA DHE MARRIN DIKU TEK 55 mil $ gjate karrieres! Bravo shkodra
Përgjigju