Ka nisur pelegrinazhi i përvitshëm i besimtarëve bektashinj në malin e Tomorit me kremtimin në Teqenë e Kulmakut. Ndryshe nga vitet e tjera pjesëmarrja e besimtarëve është më e ulët për shkak të pandemisë COVID-19. Qytetarët qëndrojnë të distancuar në kryerjen e riteve.

Të gjithë besimtarët dhe pelegrinët që i bashkohen kësaj feste të shenjtë në shenjë mirësie bëjnë kurban një qengj për veten dhe familjen. Besimtarët ngrenë çadrat e tyre në këtë vend të shenjtë duke kryer jo vetëm kurbanin e festës, por duke ngjitur me këmbë edhe majën e Malit të Tomorit.

Ditët e pelegrinazhit në Malin e Tomorit përfundojnë në 25 Gusht, por kulmi i kësaj feste arrin në datën 22 dhe 23 Gusht. Gjatë 5-ditëve të pelegrinazhit, në Teqenë e Kulmakut dhe pranë varrit të Abaz Aliut kryhen ritet fetare të festës, ku çdo pelegrin falet për shëndet, mirësi e paqe në familjet e tyre.