TIRANE- Ekspertia Ingerta Dedi, do verifikojë në teren kapitalet e kompanisë ajrore “Belle Air”. Gjyqtari Ilir Çeliku, ka vendosur seancën e djeshme të thërasë eksperten Ingerta Dedi, e cila pasi ka bërë betimin para trupit gjykues ka marrë dhe detyrat konkrete të gjykatës.

Sipas gjykatës, ekspertja ka afat deri në 27 dhjetor për të dorëzuar para gjykatës aktin e ekspertimit.

Sipas burimeve, ekspertimi do të përcaktojë shpalljen e falimentit si dhe do të shihet dhe mundësia nëse kompania mund të rifillojë aktivitetin e saj. “Belle Air” një kompani me 53 për qind të tregut të fluturimeve deklaroi se arriti një borxh ndaj të tretëve dhe kërkoi falimentimin.


Kompania ka shitur 55 mijë bileta deri në mars të vitit 2014, duke arkëtuar një shumë prej 8.5 milionë eurosh. E gjithë kjo shumë financiare, tashmë ndodhet e depozituar në llogaritë bankare të kompanisë “Belle Air”. Ndërkohë që lidhur me mënyrën e shitjes së biletave tek qytetarët, njësia hetimore Task-Forcë, pranë prokurorisë së Tiranës ka nisur hetimet për veprën penale të “Vjedhjes me anë të mashtrimit”.

Nisja e procedurave hetimore për kompaninë “Belle Air” është pohuar nga vetë kryeprokurori Adriatik Llalla, i cili gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, ka pohuar se pasi kishte parë pamjet filmike të televiziove, ku tregoheshin qytetarët të izuluar në aeroport, ka urdhëruar menjëherë nisjen e hetimeve kryesisht.

Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla deklaroi se aktualisht hetimi është përqëndruar në grumbullimin e materialeve dhe shkresave zyrtare të kësaj kompanie si dhe rrugët e ndjekur nga ajo, deri në momentin e ndërprerjes së fluturimeve, duke lënë në aeroporte të ndryshme shumë qytetar shqiptar. Pas verifikimit të të gjithë praktikës së ndjekur nëpërmjet dokumentacionit, pritet që për këtë çështje të meren në pyetje administratorët e kompanisë “Belle-Air”.

Nëse do gjendet shkelje të karakterit penal, burime pranë prokurorisë së Tiranës thënë se do marrin të pandehur të gjithë personat që janë implikuar në skemën e vjedhjes së qytetarëve me anë të shitjes së biletave. Kohët e fundit kompania “Belle Air”, është ndjerë në vështirësi ekonomike, pasi nga ana e Drejtorisë së tatim paguesve të mëdhenj i është kërkuar shlyerja e detyrimit financiar ndaj shtetit, prej rreth 6.5 milion euro, shumë kjo që rjedh nga mospagimi i taksës së shkeljes së kufirit ajror.

Lajmi u perditesua
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)