Në Belsh, prodhimi i ullirit këtë sezon është i mbarë, por fermerët po përballen me vështirësi në tregtimin e vajit.

Çmimi i shitjes me shumice nëpër fabrika ka zbritur në rreth 500 lekë për litër, nga 700 lekë që ishte një vit më parë.

“Ça çmimi thua? E merr me 5 mijë lekë, kurse një vit më parë ishte 700 lekë.”- shprehet një nga fermerët.

Përveç çmimit të ulët, fermerët ankohen për kostot e larta të vjeljes dhe mungesën e punëtorëve.

“Shpenzohen rreth 600 mijë lekë të vjetra vetëm për plehra kimike, plus spërkatje dhe vaditje. Në total, më shkon rreth 2 milionë lekë të vjetra”,- tha fermeri.

Sipas tyre, shkak i rënies së çmimit është mungesa e kerkeses në tregun ndërkombetar por dhe rënia e fuqisë blerëse në tregun vendas. Në këto kushte, shumë fermerë po zgjedhin ta mbajnë vajin në magazina, në pritje të një çmimi më të favorshëm.

“Vijnë tregtarët e vegjël dhe e kërkojnë me 350 lekë, gjë që nuk na leverdis. Unë kam vajin e vitit të kaluar dhe kam ende 440 litra pa shitur.”- u shpreh ai.

Sipas Instat ne vitin 2025, prodhimi i ullinjve në Shqipëri ishte 143.4 mijë tone. Në nivel qarqesh, Fieri kryeson dhe pas tij renditet Elbasani me 26 mijë tonë. Në këtë qark bën pjese dhe bashkia e Belshit.