Ben Andoni: Frika nga elita jonë?!

Ben Andoni: Frika nga elita jonë?!

Seanca plenare

Shqipërisë po i kërkohet me ngulm një ndryshim politik-social-ekonomik. Korrupsioni po e tregon vendin me mangësi të mëdha, kurse humbja e shpresës prej klasës politike është e materializuar me largimin masiv të shqiptarëve. Edhe pse jemi në gjysmën e mandatit të tretë të Socialistëve, që do të thotë se na presin dhe dy vite të tjera drejtimi të tyre, e tashmja po tregon se Shqipëria ka një disnivel të madh të asaj që tregohet e përshfaqet, me atë që është në realitet. Por, dhimbja më e madhe është se ky stad nuk po prodhon një mendim intelektual ose më mirë të themi se nuk ka hapësirë, ku një elitë kombëtare ta gjej veten e të shprehet.

Tema e një elite dhe nevojës së ndryshimit prej saj po bëhet gati ulëritëse. Megjithatë, jemi ende shumë larg. Shkolla, individët, shoqëria, mungesa e meritokracisë dhe politika i kanë vënë kazmën gjithçkaje. Në jo pak raste, edhe Organizatat e Shoqërisë Civile, i shikon të kanalizuara sipas interesave, kurse duket se mendimi i elaboruar shkencor për t’i paraprirë zhvillimeve të vendit, mungon natyrshëm. Akademia e Shkencave nuk i paraprin dot zhvillimeve të vendit. Ka një ngushëllim kontinental, sepse mungesa e elitës apo aktivitetit të saj, po shikohet edhe në vende, ku ka pasur shkolla mendimi, ka ende universitete potente dhe kemi ende individë të niveleve të larta.

Mbi të gjitha, elita e sotme shqiptare, ose ajo që mëton, nuk po gjen hapësirën e saj të lirisë, mënyrën sesi ta shprehë dhe ta mbrojë këtë koncept. Për më tepër nuk ndikon dot në një publik, që është indiferent. Nuk lexon. Apatik.

Kjo edhe për faktin se flirtet e elitës së sotme janë të hapura me pushtetin e sotëm socialist, kurse autokracia e pushtetit dhe përqendrimi i të gjithës nën kupolën e saj, ka asfiksuar gjithçka. Shqetësimi rritet se ata që mund të kontribuonin, në masë kanë ikur dhe përgatiten të ikin, pavarësisht moshës; të tjerët në vendet fqinje duket se po ndahen natyrshëm me Shqipërinë (Kosova dhe Shqipëria mezi rakordojnë të bëjnë tekste të përbashkëta për shkak të dasive); elita politike është sy e vesh vetëm nga fryn interesi Rama apo Berisha dhe nuk kujdesen për idetë që mund të gjenerojnë varësisht prirjeve të saj.

Me pak fjalë është elitë me tituj, por shumë larg etiketimit mirëfilli elitë potenciale; Elita tjetër që del nga universitetet nuk përfaqëson meritokracinë (nëse do të kishte ndonjëherë Vetting aty do të dridhej i gjithë korpusi universitar). Paradoksalisht: mungesa e konkurrimit të drejtë, por edhe futja e politikës në shumë emërime, përveç sensit, ku mosrespektimi i ligjeve për gradacionet shkencore të katapultuara dhe mungesa e një hierarkie nderi na nxjerr shumë më pas karakterit të shkollës sonë dhe dinjitetit në kohën e socializmit!!

Dhe, jo vetëm tek ne: “Ndodhemi para dështimit të bujshëm të elitës intelektuale perëndimore, që nuk po shkoqit dot se cilat, në radhë të parë, janë liritë e saj dhe, në vazhdim. Me ç’rrugë mund t’i mbrojë ato”, shprehej në një intervistë bashkëkohore shkrimtari britanik Ian McEëan.

Por, duket se fajtorët, sot, jemi edhe ne si publik, pasi të gjithë duket se mendojmë se duhet të krijonim një utopi për dinjitetin dhe meritokracinë. Paçka se utopia që na shoqëroi para viteve ’90 na çoi në kaosin që po e vuajmë edhe sot, kurse kontinentin e zhyti në masakra të papara. Të paktën, kur e shikon parlamentin tonë dhe, ata që ngjiten aty, të shkon mëndja se qoftë edhe gjysmë-utopia që na ofrojnë ata është e parealizueshme. E janë më të frikshëm edhe ata që besojnë në këtë gjysmë-utopi dhe, ky është edhe rasti i elitës sonë, që për fat të keq, po humbet në qerthullin e ta pamundurës dhe detin e korrupsionit. Shqipëria nuk e bën dot si duhet ndryshimin politik-social-ekonomik…të paktën me këtë elitë.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Dëshmia e rrallë e ish-oficerit, që natën e 18 dhjetorit 1981, u mor nga Ministria dhe u caktua te vila e Mehmet Shehut

Dëshmia e rrallë e ish-oficerit, që natën e 18 dhjetorit 1981, u mor nga Ministria dhe u caktua te vila e Mehmet Shehut