Ben Andoni: PD-në e sotme, as Skilla apo Karibda se frikëson

Ben Andoni: PD-në e sotme, as Skilla apo Karibda se frikëson

Selia blu

Të qënit midis Skillës dhe Karibdës është idioma, huazuar nga mitologjia e Greqisë së Lashtë, që ka tashmë fuqinë e një këshille proverbiale. Të bën të qartë se: duhet “të zgjedhësh më të voglën nga dy të këqijat”. Në kuptimin metaforik, PD-ja e sotme e ndarë në dy pjesë as këtë nuk e ka për “luks”. Që do të thotë se nga njëra anë, duhej të mobilizohej dhe ta trajtonte si vijë të kuqe, përballjen me socialistët e Ramës; kurse nga ana tjetër, të tregonte hapur pozicionimin me SHBA-të, të cilën e përdor në çdo artikulim! I gjithë ky udhëtim mes dy “përbindsheve” duhej bërë duke mos i dhënë jetë përçarjes, të paktën për zgjedhjet lokale dhe, të mos bënte as edhe një bashkim me forca që janë të së Majtës dhe që e devijojnë në kuptimin ideologjik. Streha nën të Majtën e Metës (Partia e Lirisë ende e padefinuar në kahun ideologjik, paçka se mëtohet se është më afër qendrës) dhe firma e zyrtarit të tyre për komunistët e Dajtit do mbahen mënd gjatë.

Anipse, po kaq e papranueshme është ajo që ndodhi me Partinë Demokratike (Legale), që drejtohet nga kryetari në detyrë Alibeaj. Por më shumë e papranueshme është nga moria e njerëzve që i kthyen krahët, kur panë fuqizimin e natyrshëm të PD-së alla Berishë. Jo më kot, për ata që i kanë mbetur ende besnikë kësaj kauze, që lidhet me fundin e berishizmit, ka qenë e papranueshme loja me dy porta e shumë prej kolegëve të tyre. Nga të vetmet, Flutura Açka do e shprehte me dhimbje këtë fenomen, që ishte edhe më i hidhur sesa prononcimet e të ashtëquajturve të barazlarguar. Po situata është edhe më absurde në pjesën e Partisë Demokratike (Rithemelimit). Ka një paqartësi që e has rëndom tek Berisha-Meta dhe shpurës së tyre, pasi për fatin e keq askush nga ata nuk ka më mendim ndryshe! Kjo lidhet qysh në gjenezë me faktin e konceptit sistem dhe regjim, që ia atribuojnë kryeministrit aktual. Të shporrim regjimin e Edi Ramës (!), thonë në kor adhuruesit e kultit autokratik të Berishës, pa ditur se regjimi është pjesë e një sistemi, për të cilin kemi rënë të gjithë dakord të jetë sistemi demokratik. “The Political System” i David Easton (1953) do e formatonte përdorimin teorik të konceptit “sistemi politik” në studimin e shoqërisë. Dhe, referuar atij, sistemi politik, si një mënyrë e organizimit të shtetit, përfshin regjimin politik, strukturën ekonomike dhe organizimin social, etj. Regjimi politik është forma e organizmit të pushtetit në gjirin e një sistemi politik. Dhe, regjimi politik i referohet veçanërisht kushtetutës së një shteti, mënyrës së votimit, organizimit të pushtetit midis përbërësve të ndryshëm politik të sistemit, etj. Për shembull në një sistem politik, si ai demokratik, hasen regjime të ndryshme politike, si regjimi parlamentar ose regjimi presidencial. Ne tashmë i përkasim regjimit parlamentar, bash aty, ku dëgjojmë nga çudirat më të mëdha të parlamentarëve tanë, qysh në retorikën lodhëse dhe qesëndisëse të Ramës dhe dorëzimin pa kushte që i kanë bërë Berishës shumë nga parlamentarët e PD-së dhe pohimit të çdo gjëje prej gojës së tij.

 

Po, a është vallë vetëm deklarimi non-grata i Familjes “Berisha” që e ka ndarë Partinë Demokratike? Duket se është shumë më e thellë si perceptim i tanishëm dhe këtë e kuptoje nga urrejtja me të cilën u sollën me Godinën BLU, simbolikën e partisë në Janarin e një viti më parë. Prej dhunës së pamëshirë të asaj dite, ka kujtim dhe histori të dikurshme të PD-së, por jo më vazhdimësi. PD-ja e dy anëve pret vendimin e Gjykatave (lexo kalvarin e fatit të saj), duke akuzuar kryeministrin aktual dhe të gjithë strukturat e shtetit, që i etiketon si pjesë e regjimit të Edi Ramës; justifikohet për zgjedhjet dhe zgjidhjen e strukturës së pjesëmarrjes në Lokalet me Metën dhe, më shumë se kaq ofendojnë njëri-tjetrin me një galeri të tërë personazhesh negativë dhe me një leksik arkaik rruge. Mbledhja e fundit serioze e kryesisë së përbashkët të PD-së, pra në kumtimin e Bashës për vendimin non-grata ndaj Berishës, kur duhet të tregonin maturi, tregoi se jo thjesht formimi politik por kredoja reale demokratike mungonte te Selia Blu. Të gjithë anëtarët ia lanë topin njëri-tjetrit apo Godosë dhe kuptohet se përgjegjësia hipotetike i mbeti personazhit më pa lidhje te PD-ja, njeriut që u mbajt nga Berisha dhe votimi për të cilin u bë kryetar, u ndih nga ata që e anatemojnë. Asokohe, Basha me një ritiradë të tërë mbrojtje tregoi vendimin më burrnor të jetës së vet, kuptohet nën trysninë e SHBA-ve që kur duan i shprehin gjërat në formë shumë cinike. “Qëndrimi i SHBA është i qartë. Ka nisur që me vizitën e Riker. Na është përcjellë vendimi i qartë i SHBA. Sot ishte afati i fundit, kur PD duhet të shprehej. Ky vendim ishte si në interesin e PD, por dhe të Sali Berishës. Meqe ia premtova Sali Berishës, dua t’ju komunikoj se ky vendim nuk është dakordësuar me të, pavarësisht perpjekjes sime për të arritur një dakordësi”. Përveç skifterëve të Berishës, që e kërkonin vendimin qysh nga referendumi në bazë (!!), te dakordësia me të akuzuarin etj,; të tjerët ia kanë lënë në dorë ish-kryetarit Basha. Ai, që do e pasonte, Enkelejd Alibeaj do shprehej më thartë: “Sot nuk është funeral. Nesër do të ndriçojë dielli përsëri. Nuk jam dakord me parafolësit që kundërshtojnë vendimin. Vendimi duhej marrë dhe duhej marrë vetëm nga kryetari. Ky është një moment historik për PD dhe për ju si kryetar. Do të duhet ta kapërdijme këtë moment, dielli lind përsëri”.

Se çfarë ka rrjedhur nga ai vendim tashmë dihet. Dielli ka dalë por kjo parti është e ndarë në dy pjesë dhe një e tretë rri e vëzhgon e barazlarguar për të gjetur një moment të përshtatshëm, se kur do të rikthehen dhe të marrin qetë frytet e saj që do dalin nga kjo përplasje.

A mundet Partia Demokratike të legjitimojë këtë ndarje dhe të shmangë kalvarin e Drejtësisë? A mundet t’i jepet fund? Ka një gjë fare të thjeshtë. Niset nga një konstatim real: Partia Demokratike e kapërcyellit ’90 e ka mbyllur misionin e saj, duan apo nuk duan njerëzit e saj. Partia e parë opozitare u qas me disa pilarë për zhvillimin e vendit, që nuk i përmbushi në pritshmëritë e veta, por më shumë se kaq i la udhës. Nuk zgjidhi dhe transformoi problemin e pronës (regjistrohen mijëra të vdekur tashmë për të); nuk zgjidhi problemet e të përndjekurve dhe këtë kauzë e mori PS-ja; nuk e çrrënjosi dot komunizmin, ashtu si nuk u krijua kurrë një narracion i duhur për të. Nuk po i vendosim të tjerat, sepse nuk ka sens. Por, që në mënyrën që shtron udhën për bashkëpunim me Parti me frymëzim komunist (Basha dikur me Milloshin), ashtu si zgjedhjet e tanishme (me Dajtin) e bëjnë me turp PD-në, që do të thotë se ka ardhur koha për një zgjidhje alla Aleksandër për nyjen Gordiane. Me pak fjalë: të dyja PD-të janë “të justifikuara” të mbajnë emrat e tyre për derisa e mendojnë kështu. E vetmja gjë është se njëra, që është deri më tani legale të shtojë në kllapa (Legale) dhe tjetra (Rithemelimi). Mund ta bëjnë vetë riorganizimin (Kuvendet e tjera, janë gati burokratët dhe protagonistët), në këtë rast Drejtësia është thjesht noterizueze dhe shpëtojnë politikën nga sherri kallp.  Ashtu se mund t’ia kursejnë publikut të tyre edhe diskursin qesharak të moralit politik.

Tek e fundit, ndryshe nga argumentet e vjetra që i barazojnë partitë me emra markash të qëndrueshme historike politike, apo edhe rietiketimi i partive nuk është i rrallë dhe në shumë vende nuk konsiderohet shumë i pazakontë. Partitë, sot, i ndryshojnë emrat fillimisht të mbijetojnë më shpesh në rrethana, kur humbasin vazhdueshëm në zgjedhje, si edhe në sistemet partiake më të dobëta. E nisën të Majtët duke ndryshuar pas modelit të fundit të komunizmit sovjetik me shumë gjasa të riemërtonin veten prej trashëgimisë së hidhur. Tashmë është koha e atyre që mëtojnë se janë të Djathtë ta bëjnë këtë (Në rastin e Shqipërisë treguan se dolën nga një bark). Eh, nëse nuk do ta bëjnë, nuk kanë pse t’i tremben as Skillës dhe Karibdës sepse rruga me siguri nuk i përcjell asnjëherë në Itakën demokratike.  (Homo Albanicus)

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Kremlini: Putini gati për bisedime për paqe me Ukrainën

Kremlini: Putini gati për bisedime për paqe me Ukrainën