Ben Blushi: Qeveria e konsumuar 
Edi Rama të konsultohet me grupin

Ben Blushi: Qeveria e konsumuar <br />Edi Rama të konsultohet me grupin
TIRANE- Deputeti socialist, Ben Blushi vijon akuzat në drejtim të ministrave të qeverisë Rama lidhur me performancën e dobët që shumë prej tyre po tregojnë. Dje pas mbledhjes së grupit të PS-së, Blushi nuk nguroi ta konsiderojë qeverinë si të konsumuar. Kur kanë ngelur edhe pak muaj nga zgjedhjet e 21 qershorit, Blushi i bën thirrje kryesocialistit Rama, të konsultohet me deputetët e tij për përzgjedhjen e kandidatëve për 61 bashkitë e vendit.

Blushi nuk ka mohuar takimin që ka pasur me kreun e qeverisë Rama pak ditë më parë duke deklaruar se kandidimi për Bashkinë e Tiranës, nuk është pjesë e ambicieve të tij.

“Është e vërtetë që kam pasur takim me kryeministrin. Kjo nuk është sekret por gjërat private nuk preferoj t’i bëj publike. Nuk jam në garë, por jam i gatshëm të marr pjesë në fushatë e të mbështes çdo kandidat në Tiranë edhe kudo, por unë nuk jam në garë këtë herë”, deklaroi Blushi. Sipas tij, bashkitë e mëdha në vend meritojnë të kenë nga e majta personalitete të rëndësishëm në garë të cilët mund të dalin edhe nga konsultat që vetë Rama mund të zhvillojë me deputetët e tij.

“Unë shpresoj që në radhë të parë të jetë personalitet. Tirana e meriton. Nëse ata që e kanë në dorë të zgjedhin, dihet se kush e ka, zgjedhin kandidatë për kryetarë bashkisë me të njëjtën metodë që zgjodhën ministrant para dy vitesh kjo do të ishte e gabuar. Qeveria nuk i rezistoi kohës. Shpresoj që do ketë konsultime për të gjithë kandidatët. Dhe kjo është një nga gjërat që duhet thënë. Nëse deputetët e PS-së anashkalohen, siç ka një tendencë,  nga përzgjedhja e kandidatëve, kjo do të ishte fatale dhe do të hynte në një garë shumë të vështirë duke pasur parasysh dhe konsumin e lartë të qeverisë”, theksoi Blushi.

Dorëheqja
Mënyrën më të keqe të mundshme e ka konsideruar Blushi, dorëheqjen e dhënë dy ditë më parë nga kryebashkiaku i Pogradecit, Artan Shkëmbi. “Miqësisht do i thoja ishte mënyra më e keqe për të braktisur detyrën sepse arsyet për të cilat ai iku ishin të papërligjura. Njerëzit që janë në detyrë, funksionarë shtetërorë, kryetarë bashkie apo kushdoqoftë administrator i zgjedhur nuk ikën nga detyra 3 muaj para se ti mbarojë afati, për arsyet që tha Shkëmbi, për ti hapur rrugë dikujt tjetër, apo për t’i hapur rrugë partisë për të zgjedhur dikë tjetër, ikin ose kur e kanë të pamundur ose kur janë në izolim për shkaqe që nuk varen nga ata”, u shpreh Blushi.

Shkëmbi: Blushi paguhet si deputet jeton si shkrimtar
Kryetari i dorëhequr i Bashkisë së Pogradecit, Artan Shkëmbi ka deklaruar se nuk do të përfshihet në një debat me deputetin Ben Blushi, pasi sipas tij prej kohësh ai paguhet si deputet por jeton si shkrimtar. “Kam ndjekur deklaratën e Blushit në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së.

Në të vërtetë nuk jam i befasuar, por megjithatë atakimi personal më bën t’i përgjigjem po drejtpërdrejtë. Nuk besoj se me doreheqjen time kam fyer bashkëqytetarët ajo është një akt krejtësisht personal dhe jam i përgjegjshëm mjaftueshëm për vendimin që kam marrë. Ndjehem mirë për përgëzimet që kam marrë, sikurse mirëkuptoj edhe ndonjë “shqetësim” që kam shkaktuar, por kurrsesi nuk do të pranoja leksione nga një njeri që paguhet si deputet dhe jeton si shkrimtar, që për të paktën 8 vite me radhë, në vend të punës së deputetit, bën analistin dhe kritikun”, ka deklaruar Shkëmbi.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 25 shkurt 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duk protesta e opozitës?



×

Lajmi i fundit

Igli Tare bën gati kthimin si drejtues: Në kohën dhe klubin e duhur

Igli Tare bën gati kthimin si drejtues: Në kohën dhe klubin e duhur