Dy shqiptarë janë arrestuar nga policia në Francë pasi akuzohen për një sërë vjedhjesh. Ata ishin duke u kthyer në shtëpinë e tyre në Val-de-Marne me xhepat plot nga vjedhjet që kishin kryer kur u vunë në pranga.

Sipas mediave franceze, shqiptarët thuhet se janë kushërinj, akuzohen për 12 vjedhje ose tentativa vjedhjesh të kryera brenda dy javësh. Dëmi i shkaktuar nga vjedhjet në Rouen (Seine-Maritime ) dhe rrethinat e tij është rreth 40 mijë euro në bizhuteri, ora luksoze, apo para cash.

Të rinjtë, të moshës 32 dhe 33 vjeç u dënuan me njëzet e katër muaj burg, ndërsa iu ndalua hyrja për 5 vite në Francë.

“Shqiptarët shfrytëzojnë maksimalisht vizat Shengen 90 ditore, ndërsa punojnë në Paris, Berlin, Romë. Vijnë vetëm për të plaçkitur dhe ikin kur i ka skaduar viza, për të çuar paratë në shtëpi. Pastaj ata kthehen me një vizë të re. E kështu me radhë”, shpjegon për CNEWS një burim pranë hetimit.