Franca është shprehur e gatshme të dërgojë një përfaqësues në Moskë për bisedime të drejtpërdrejta me Rusinë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, por kërkon si kusht pjesëmarrjen e plotë të Evropës në negociatat për një marrëveshje të mundshme paqeje.

Sipas një përfaqësuesi të ambasadës franceze në Rusi, Parisi e mirëpret ftesën e presidentit rus Vladimir Putin drejtuar zyrtarëve evropianë, por kërkon garanci se vendet evropiane nuk do të kenë një rol dytësor në procesin negociator.

“Ne duhet të marrim konfirmim se Evropa do të ketë një vend të plotë në tryezën e negociatave për të zgjidhur çështjen ukrainase”, tha diplomati francez, duke përsëritur kushtin e vendosur më parë nga Pallati Elize.

Qëndrimi i Francës vjen në një kohë kur vendet evropiane po kërkojnë të rivendosin kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit me Moskën dhe të sigurojnë një rol në vendimet që do të përcaktojnë të ardhmen e Ukrainës dhe sigurinë e kontinentit pas luftës.

Më 19 nëntor, gjatë samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) në Kinë, Vladimir Putin ftoi publikisht zyrtarët evropianë të vizitonin Moskën për të diskutuar çështje që lidhen me sigurinë në rajon.

Presidenti rus deklaroi se Kremlini dëshiron fillimisht të dëgjojë se çfarë mund të kontribuojë Evropa në negociatat e paqes, përpara se të vendosë se në çfarë forme do të vazhdojë dialogu për Ukrainën.

“Ne nuk jemi kundër pjesëmarrjes evropiane, por duhet të kuptojmë se çfarë do të sjellë Evropa në këto bisedime”, kishte thënë Putin.


Lajmi kryesor:

Garancitë e sigurisë për Ukrainën, SHBA përjashton trupat dhe bazat ushtarake, Zelensky: Nuk kemi ende përgjigje të qartë se si do të mbrohemi nga Rusia