Një 47-vjeçar është arrestuar nga policia e Durrësit duke vjedhur sende personale në një makinë në zonën e plazhit. Ai dyshohet se është autor dhe i 8 vjedhjeve të tjera teksa ka qenë i dënuar edhe më parë për të njëjtën vepër penale.

Më datë 29 shtator Aleksandër Qarri, 47 vjeç është arrestuar në flagrancë teksa theu xhamin e një makine tip "Benz" në pronësi të shtetasit E.K. ku vodhi disa sende personale.

Qarri, banues në Tiranë dyshohet se është autori i 7 vjedhjeve të tjera të ndodhura gjatë muajit shtator në lagjen nr.13 në zonën e plazhit në Durrës. Ai dyshohet se ka thyer xhamat e mjeteve në pronësi të I.G., E. T., M. P., M. C., F. A., Xh. R. dhe ka vjedhur navigator, pasqyra ose sende personale.

Gjithashtu 47-vjeçari dyshohet se më datë 22.09.2020, gjatë natës, në lagjen nr. 13, Durrës, ka thyer xhamin e një automjeti në pronësi të një institucioni shtetëror, ku ka marrë një palë çelësa.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan çelësa egzagonal që shërbenin për zbërthimin e navigatorëve dhe pasqyrave të mjeteve, pasqyrat e vjedhura të mjeteve dhe sende të tjera që shërbenin për kryerjen e vjedhjeve.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale "Vjedhja".