Benzina 1.4 euro/L
pas rritjes së taksës

Benzina 1.4 euro/L <br />pas rritjes së taksës
TIRANE-Çmimi i një litri benzinë në pikat e shitjes me pakicë të karburantit në kryeqytet ka arritur në 185 lekë. Ndërkohë, eurodieseli shitet mesatarisht me 183 lekë për një litër dhe dieseli i cilësisë së ulët 168 lekë për litër.

Gjatë 15-16 viteve të fundit, në tregjet botërore vështirë se gjendet një artikull, çmimi i të cilit të ketë patur më shumë luhatje se karburanti. Kjo luhatje ka qenë në të dy kahet, pra, ka patur çmim me 70 dollarë për fuçi (169 litra naftë bruto), por edhe çmim me afro 150 dollarë për fuçi, në vartësi të situatave në vendet e nxjerrjes, që kryesisht janë vende ku mungon stabiliteti, apo të kërkesës nga vendet e zhvilluara. Ndërkohë, në Shqipëri kahu ka qenë gjithnjë në rritje, me përjashtim të vitit 2009.

Sipas Institutit të Statistikave, rritja e përgjithshme e çmimit të karburantit në Shqipëri nga viti 1995 deri në vitin 2010 ka qenë tri herë. Në të njejtën kohë, çmimet e ushqimeve kanë pësuar një rritje dyfishe. Gati të gjitha grupmallrat janë rritur me një ritëm rreth 50 për qind më të ulët se nafta, benzina dhe lëndët e tjera djegëse që përdorin konsumatorët, të tilla si gazi natyror, pra produktet e hidrokarbureve.

Aktualisht, çmimi në treg është gati 1.4 euro për litër, duke iu afruar atij të vendeve me nivel shumë më të lartë jetese. Në Itali, psh, karburantet tregtohen me pakicë me rreth 1.6 euro për litër, çka edhe është kontestuar shpesh nga qytetarët e këtij vendi. Por, shqiptarët, sipas EUROSTAT-it, kanë të ardhura për frymë që janë sa 28 për qind - jo e atyre të Italisë - të mesatares së vendeve të Bashkimit Evropian.

Sipas Shoqatës së Shoqërive të Hidrokarbureve, ajo që ka lëvizur ndjeshëm gjithë këto vite në rritje ka qenë barra e taksave qeveritare mbi tregun e karburanteve. Është pikërisht kjo që ka rritur çmimin, duke eliminuar lëvizjet e tjera në treg. Më e fundit ka qenë taksa "e transferuar" nga dogana tek karburanti në treg. Qeveria deklaroi se hoqi taksën doganore për të gjitha automjetet, por e zhvendosi atë tek taksa vjetore e tyre, që rritet, sa më i vjetër të jetë automjeti. Por, tre vjetët e parë, një automjet i ri paguan taksë zëro. Për të vjelë edhe nga këto makina para, qeveria nuk ka harruar të rritë taksën te karburanti që shitet, i cili vitin e ardhshëm do të jetë edhe më i shtrenjtë se sivjet, edhe në rast se çmimi ndërkombëtar nuk ndryshon.

Kjo situatë e tregut të bën të mendosh edhe lidhur me efektivitetin e politikës qeveritare ndaj hidrokarbureve. Kontratat koncensionare, privatizimet e njëpasnjëshme të sektorëve të nxjerrjes e përpunimit të naftës, zbulimet e rezervave të konsiderueshme, teorikisht duhej të sillnin një ulje të ndjeshme të çmimit tek konsumatori fundor, por në fakt po ndodh e kundërta.

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Sekretari Blinken kritikon Kinën gjatë takimit të Azisë Juglindore

Sekretari Blinken kritikon Kinën gjatë takimit të Azisë Juglindore