BEOGRAD - Rreth 3 mijë persona kanë tubuar sot në Sheshin e Republikës në Beograd, ku në ora 12.44 simbolikisht filloi mitingu, i organizuar nga serbët e Kosovës, të cilët kundërshtojnë marrëveshjen e arritur mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel. Sipas mediave serbe, manifestuesit britën me thirrjet:

“Tradhti”, “Daçiç, ke tradhtuar Kosovën” dhe parulla të tjera. Ata kërkuan refuzimin e marrëveshjes së Brukselit, shkarkimin e presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliç, e gjithashtu edhe të qeverisë, duke kërkuar organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme në Serbi.

Në tubim ishin të pranishëm Vojislav Koshtunica, udhëheqësit e Kishës Ortodokse Serbe, mitropoli Amfilohije, kryepeshkopi Atanasije, si dhe shumë ish-zyrtarë të lartë të Serbisë.

Një skandal të vërtetë në këtë tubim shkaktuan kryesuesit e Kishës Ortodokse Serbe. Fillimisht, mitropoli i Kishës serbe, Amfilohije mbajti një lutje për Kosovën, ndërsa krypeshkopi Atanasije deklaroi se ish-kryeministrit të vrarë të Serbisë, Zoran Gjingjiçit nuk i ka interesuar “Serbia hyjnore”, duke i cilësuar njëkohësisht si tradhtarë kryesuesit aktualë të Serbisë.

“Kryeministri Ivica Daçiç thotë se është politikë tokësore, se nuk i intereson politika hyjnore. Kështu ka folur edhe Zoran Gjingjiçi, e Zoti të gjykojë për mënyrën se si ka përfunduar ai”, theksoi Atanasije.

Ai më tutje shtoi se pushteti i Serbisë nuk beson në Zot, por “në mitologjinë shkatërruese të Bashkimit Evropian”. “Nuk ka Serbi tokësore, pa atë hyjnore”, deklaroi Atanasije.(RTV21)

Redaksia Online
(ma/shqiptarja.com)