TIRANE - Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj u bëri thirrje qytetarëve të grupmoshës 40-65 vjeç , që të paraqiten në qendrën e tyre shëndetësore për kontroll shëndetësor falas.
"Programi i Kontrollit Pa Pagesë është deklaruar që në Programin e Qeverisë, që përfshin grupmoshën 40-65 vjeç, kur provohet shkencërisht që është një moshë që shfaqen sëmundje të ndryshme, në mënyrë që t'i diagnostikojmë në stad sa më të hershëm, që pastaj të kemi më pak kosto për shëndetin, për ekonominë, për familjen, kosto sociale", deklaroi Beqaj për mediat.
Ministri ishte i pranishëm në aktivitetin e organizuar sot në shehin "Nënë Tereza", nga dikasteri që drejton, FSDKSH-ja (Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor) dhe ISHP-ja (Instituti i Shëndetit Publik) në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese dhe informimit publik .
Organizatorët, drejtues dhe punonjës të sistemit të kujdesit shëndetësor, pedaluan përgjatë Bulevardit "Dëshmorët e Kombit", me biçikleta që bartnin mesazhet e fushatës së check-up, duke ftuar të gjithë qytetarët shqiptarë të grupmoshës 40-65 vjeç, që një herë në vit, të paraqiten në qendrën e tyre shëndetësore pranë vendbanimit dhe të kryejnë kontrollin shëndetësor bazë pa pagesë.
"Edhe ky aktivitet që bëmë sot, i bashkohet pa dyshim përhapjes së këtij mesazhi, tha Ministri duke shtuar se ky është edhe një veprim simbolik, që është veprimi i aktivitetit sportiv".
Kontrolli Shëndetësor Bazë është një program kombëtar, pa pagesë për përfituesit e tij, që synon depistimin e popullatës për faktorët e rrezikut dhe sëmundshmërinë më prevalente me qëllim kujdesin për shëndetin, parandalimin e sëmundjeve dhe komplikacioneve, zbulimin e hershëm të çrregullimeve, mjekimin në fazat e hershme dhe përmirësimin e kulturës shëndetësore, prej të cilit do të përfitojnë të gjithë shtetasit e grupmoshës 40-65 vjeç me qëndrim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë./ATSH/