TIRANE - Mjekët, farmacistët por edhe vetë pacientët abuzojnë me ilaçet të cilat janë të përfshira në skemën e rimbursimit. Ky fakt është bërë konkret falë një kontrolli 3 mujor të bërë nga ministria e Shëndetësisë dhe Fondi i Sigurimit Shëndetësor ku është konstatuar se doza më të larta ilaçesh se ato që i duhen të sëmurëve, përshkrim i barnave më të shtrenjta dhe imponim për t’i blerë në farmaci të caktuara janë abuzimet më të shumta. Ashtu siç kishte paralajmëruar ministri i Shëndetësisë ka bërë publike me shembuj konkret recetash se si mjeku ka lëshuar mbi gjysmën e recetave me ilaçin e rimbursueshem, për të cilin pacienti bashkëpaguan më shumë se për katër alternativat e tjera që janë në treg.

“Kemi një mjek me emrin E.N, punon te poliklinika numër 4. Në 55% të recetave të lëshuara, ka dhënë vetëm alternativën më të shtrenjtë, pra më shumë se gjysma e pacientëve që shkojnë, nëse kishim gjithë Tiranën, 1/3 ka marrë më të shtrenjtën, tek ky mjek, më shumë se gjysma ka marrë më të shtrenjtën. Dyshimi për të shtrenjtën bëhet më i theksuar, nëse shikojmë se në cilën farmaci ekzekutohen këto receta me rimbursim. Dhe na rezulton se sasia e gjithë recetave që lëshon ky mjek, në 94% të rasteve, përfundojnë vetëm te farmacia NEK. Pra, E.N, jo vetëm që përshkruan barin më shtrenjtë, por çuditërisht të gjithë këta, në një zonë urbane të qytetit të Tiranës, përfundojnë te farmacia NEK” ka pohuar kreu i shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Sipas tij, këto lidhje nuk do të tolerohen më dhe do të ketë ndëshkime. Nga ana tjetër, edhe Drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore Astrit Beci ka deklaruar se do të çohen në Prokurori, jo vetëm mjekët abuzues, por edhe pacientet që kanë pranuar falsifikimin e recetave. Shkelje janë kapur edhe në fletët e KEMP-it, ku të sëmuret marrin statusin e invaliditetit. Sipas Becit, të gjitha rastet e konstatuara me shkelje të ligjit do të çohen në Prokurori, qofshin këta mjekë apo farmacistë, por edhe pacientë të cilët në disa raste kanë rezultuar se janë bërë pale më bluzat e bardha.

“Ne kemi vendosur një herë e mirë që t’i themi stop këtyre fenomeneve dhe të vëmë para penaliteteve të nevojshme, mjekët, farmacistët, grosistët, kudo që këto fenomene janë. Vetëm në këtë periudhë 2-mujore ne kemi të penalizuar më shumë se 300 mjekë, vetëm në Tiranë për shkelje dhe mos respektim të procedurave dhe rregullave që ato i mësojnë që në bankat e shkollës” nënvizoi Beci. Hetimi aktual është shtrirë fillimisht në Tiranë dhe më pas në rrethe të tjera. 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 24 Korrik 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)