TIRANË - Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, lajmëroi në një konferencë për shtyp, rritjen e buxhetit për shëndetësinë për vitin 2014 me 9.1% krahasuar me vitin 2013.

“Kjo është  rritja më e lartë e buxhetit për shëndetësinë e mbi 10-viteve të fundit, duke pasqyruar në këtë mënyrë, programin dhe angazhimet e qeverisë në fushën e shëndetësisë”, deklaroi ministri i Shëndetësisë.

Buxheti i shëndetësisë për vitin 2014 është 38,7 miliardë lekë ndërkohë që në vitin 2013 buxheti i shëndetësisë ishte 36,3 miliardë lekë) Ky buxhet është sa 2,77% e PBB-së, niveli më i lartë i shpenzimeve publike për shëndetësinë në më shumë se 10 vitet e fundit.

Në katër vitet 2009 – 2013 buxheti i shëndetësisë u rrit me 18,1%, apo me 56 milionë USD dhe një pjesë të rritjes, pa dyshim, e ka ngrënë vendosja e taksës së shëndetit me 10%.

Sipas paraqitjes që u bë në MSH, ky buxhet është nominalisht 6,6% më i lartë se buxheti i vitit 2013. Shtesa në vlerë absolute vetëm për një vit është rreth 24 milionë USD, apo sa 43% e asaj që u rrit gjithsej në katër vitet e mëparshme.

Por, nëse merret në konsideratë heqja e TVSH-së për barnat dhe materialet mjekësore me efekt nga data 1 prill 2014, rreth 900 milionë lekë që do të shpenzoheshin për taksa do të mbeten në dispozicion të plotësimit të nevojave për barna dhe materiale mjekësore. Në këtë kontekst, rritja reale e buxhetit të shëndetësisë në vitin 2014 kundrejt
vitit 2013 është 9,1%.
 
Institucionet shëndetësore publike kanë borxhe të papaguara për barna, materiale mjekësore, materiale mbështetëse dhe shërbime për rreth 4,4 miliardë lekë, nga të cilët, 3,4 miliardë janë vetëm në QSUT. Praktikisht ky borxh është sa shpenzimet vjetore të 1,5 muajve të gjithë shpenzimeve spitalore të vendit. Kjo është gjendja që qeveria e
mëparshme e la shëndetësinë, përveç mungesave në barna dhe me infrastrukturë spitalore të rrënuar.

"Në buxhetin e vitit 2014, si dhe në paketën fiskale gjen pasqyrim realizimi i një pjesë të mirë të angazhimeve të programit të qeverisë në shëndetësi. Tatimi mbi Vlerën e Shtuar për barnat dhe mallrat shëndetësore në shkallën 10% i vendosur para 3 vjetësh nuk solli asgjë që u premtua. As nuk e uli çmimin e barnave, dhe as nuk e formalizoi tregun farmaceutik", theksoi ministri Beqaj. Ndërkohë, vetëm në ditët e para të shtatorit 2013 ish–drejtori i përgjithshëm i doganave i drejtohej zyrtarisht ish-ministrit të shëndetësisë, ku i ofronte prova se ekzistonin parregullsi në faturat e importimit të barnave në Shqipëri", shtoi Beqaj.

JA ÇFARË DO NDRYSHOJË NË SHËNDETËSI NGA 1 JANARI 2014
Siç është përcaktuar edhe në programin e qeverisë të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, që prej datës 1 prill 2014 qeveria premton të heqë TVSH-ja prej 10% për barnat dhe materialet mjekësore.

Duke nisur nga data 1 janar 2014 do të ulet kontributi i detyrueshëm i sigurimeve shëndetësore për të vetëpunësuarit në qytet nga 3,4% e trefishit të pagës minimale në 3,4% të dyfishit të pagës minimale. Secili prej rreth 75 mijë të vetëpunësuarve në qytet do të paguajë çdo muaj 650 lekë më pak, apo rreth 7,800 lekë në vit.

"Janë dëgjuar këto ditë të pavërteta se gjoja do të rriten kontributet e sigurimit shëndetësor për fermerët. Edhe me buxhetin e vitit 2014 garantohet se fermerët do të vazhdojnë të paguajnë kontribute respektivisht në shkallën 5% apo 3% në zona malore dhe fushore mbi një pagë që do të caktohet nga Këshilli i Ministrave dhe që do të vijojë të jetë 5,600 lekë në muaj', tha Beqaj.

Zëvendësimi i taksës së sheshtë me taksën e ndershme do të sjellë të ardhura neto të rritura për të gjithë profesionistët e shëndetësisë. Për rreth 15 mijë infermiere e infermierë taksa mujore mbi pagën do të ulet nga rreth 4,000 lekë në muaj rreth 1,300 lekë në muaj. Kjo do të sjellë që çdo infermier të ketë çdo muaj 2,700 lekë më shumë apo rreth 
32,400 lekë më shumë në vit. Praktikisht, secili infermier do të ketë një pagë neto të 13-të shtesë.

Për rreth 3,700 mjeke e mjekë taksa mujore mbi pagën do të ulet nga rreth 6,000 lekë në muaj, në rreth 3,900 lekë në muaj. Kjo do të sjellë që çdo mjeke e mjek të ketë çdo muaj 2,100 lekë më shumë apo rreth 25,200 lekë më shumë në vit. Praktikisht, secili mjek do të ketë një gjysmë page neto të 13-të më shumë.

Edhe angazhimi programor për fillimin e kontrollit bazë pasqyrohet në buxhetin e vitit 2014. Bashkë me buxhetin po miratohen edhe ndryshimet në ligjin e sigurimeve shëndetësore që sanksionojnë se kontrollet bazë ofrohen falas për të gjithë personat pa asnjë dallim. Në grupmoshën 40 – 60 vjeç janë rreth 760 mijë vetë rezidentë në Shqipëri.

Në programin e kujdesit shëndetësor parësor janë programuar 5 milionë dollarë për këtë kontroll bazë, i cili pritet të fillojë realisht në gjysmën e dytë të 
vitit 2014. Tashmë, është ngritur grupi i punës dhe ka fillluar puna për hartimin e paketës së kontrollit bazë. Edhe ky angazhim programor gjen pasqyrim në buxhetin e vitit 2014.

Së pari, do të garantojmë pagesat përfundmitare për rikonstruksionin e spitalit neurologjik në QSUT (1 milion USD); për ndërtimin e spitalit Shefqet Ndroqi (600 mijë USD; për rikontruksionin e maternitetit Koço Glozheni (350 mijë USD); për bunkerin e akseleratorit linear në shërbimin e neurokirurgjisë; do të vijojmë pagesat për ndërtimin e spitalit të ri psikiatrik në Vlorë (600 mijë USD); do të hartojmë projektin e zbatimit për kirurgjinë e re në QSUT; për rehabilitimin e spitalit onkollogjik në QSUT; për rehabilitimin e spitalit të pediatrisë në QSUT; për rehabilitimin e spitalit të sëmundjeve të brendshme në QSUT; si dhe për ndërtimin e spitalit të ri rajonal në qarkun e Fierit.
 
Edhe në shërbimin shëndetësor parësor do të ketë përmirësime të qendrave shëndetësore, me një vlerë rreth 5 milionë USD. Këto përmirësime do të jenë qoftë në zonat urbane, qoftë në zonat rurale, duke përfshirë Tiranën, Korçën, Gjirokastrën, Peshkopinë dhe Durrësin.
 
Me buxhetin e vitit 2014 do të rritet ndjeshëm kujdesi për sëmundjet tumorale. Fondet për furnzimin e spitalit onkologjik me barna citostatikë do të rriten me rreth 2,5 herë, duke arritur në nivelin e rreth 8 milionë USD. Do të ndërtohet një bunker i ri për akselaratorin linear pranë spitalit onkologjik dhe do të vihet në përdorim akseleratori i ri linear. Do të blihen edhe dy mamografë të lëvizshëm (rreth 700 mijë USD), me qëllim që të shkojmë sa më pranë grave në zonat rurale.
 
Me buxhetin e vitit 2014 do të rritet ndjeshëm kujdesi për sëmundjet kardiovaskulare. Fondet për furnzimin e shërbimeve me materiale mjekësore do të trefishohen. Do të plotësohet reanimacioni në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’, me qëllim që shërbimi i hemodinamikës të ofrohet edhe në këtë siptal. Në shërbimin e kardiokirurgjisë do të investohen 50
milionë lekë për të përmirësuar sallat e operacioneve. Po hartohen paketat e shërbimeve të hemodinamikës me qëllim që këto shërbime të paguhen me para publike edhe pranë institucioneve shëndetësore jopublike.
 
Me buxhetin e vitit 2014 do të bëhet e mundur të financohen edhe transplantet e veshkës dhe të mëlçisë. Është nisur puna për hartimin e paketave të këtyre shërbimeve spitalore. Gjithë sa më sipër, është e mundur të realizohet sepse programi i kujdesit spitalor në vitin 2014 është rritur me rreth 11% përkundrejt vitit 2013. Kjo rritje do të jetë realisht edhe më e madhe, si rezultat heqjes së TVSH-së, duke filluar nga data 1 prill 2014.
 
Me buxhetin e vitit 2014 do të realizohet hartimi i kornizës afatgjatë të strategjisë së zhvillimit të _e_-_health_ në Shqipëri, dhe do të fillojë zbatimi i projekteve të dixhitalizimit në spitalin rajonal të Shkodrës, dixhitalizimit në QSUT, të përdorimit të telefonisë mobile për të komunikuar paraprakisht vaksinimin e fëmijëve dhe faza e parë e zbatimit të recetës elektronike.
 
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)