TIRANE- Me një lëvizje që mund të cilësohet gati obamjane, Partia Socialiste premtoi Sistem të Kujdesit Shëndetësor falas për cdo qytetar që lind në Shqipëri, kur ajo të vijë në pushtet. Lajmi u bë i ditur nga sekretari për Programin në PS, Ilir Beqaj, i cili gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët pohoi se do të hiqet edhe kontributi që mbahet në rrogë për sigurimin shëndetësor.

Akuzave të ardhura nga Partia Demokratike, e cila e ka cilësuar si utopik programin për shëndetësinë të socialistëve, Beqaj iu përgjigj duke theksuar se të dyja modelet ekzistojnë në shtete të ndryshme të botës por ajo që shënon dështimin e sistemit aktual në Shqipëri, sipas sekretarit socialist, është numri i ulët i të punësuarve.

Pavarësisht nga insistimi i gazetarëve, sekretari socialist për Programin nuk ofroi shifra konkrete mbi koston që do të ketë në buxhet kjo dhe politika të tjera të ngjashme të njoftuara së fundmi nga selia rozë. Beqaj theksoi vetëm se kostot do të mbulohen me prurjet që do të vijnë nga lufta ndaj evazionit.

(im/sg/shqiptarja.com)