Një plagosje me armë zjarri është regjistruar në Berat teksa 37-vjeçari Fabiel Toska Xhindi, është paraqitur në spital për të marrë ndihmë mjekësore pasi ishte i plagosur me armë zjarri në vendin e quajtur “Dogana”.

Fillimisht kanë qenë të paqarta rrethanat e ngjarjes por, pasi grupi hetimor ka punuar intensivisht në këqyrjen e kamerave të sigurisë të marra nga bizneset dhe banesat rreth zonës, është zbuluar edhe dinamika e ngjarjes. Mësohet se i plagosuri, Fabiel Toska (Xhindi),ka qenë duke udhëtuar me një mjet tip Seat, me një shokun e tij në aksin nacional Kombinat-Dimal. Nga pamjet filmike, duket edhe një mjet tjetër, fuoristradë me ngjyrë të zezë dhe të dyja mjetet parakalohen disa herë me njëra-tjetrën.

Pas kësaj, i plagosuri del nga mjeti dhe shkon me vrap tek makina tjetër, nga ana e shoferit (për tu sqaruar me të se përse po e ndiqte nga prapa dhe po e parakalonte) por sapo shoferi hap xhamin e qëllon me një plumb në bark. Nga mjeti tip Seat duket se del edhe shoku i të plagosurit por sapo e sheh që Fabielin e qëllojnë me armë dhe bie në tokë, ai ikën më vrap dhe njofton policinë.

Burimet policore konfirmojnë se i plagosuri dhe shoku me të cilin ishte në makinë nuk kanë pasur njohje të mëparshme me personat e tjerë, thënë kjo edhe në deklaratat që kanë dhënë të dy gjatë pyetjes nga inspektorët e krimeve në DVP Berat. Pas plagosjes, Fabiel Toska (Xhindi), 37-vjeç, banues në lagjen "Çlirim" në Berat, është transportuar me ambulancë drejt Spitalit Rajonal Berat, ku pasi ka marrë mjekimin e nevojshëm, është transportuar drejt Spitalit të Traumës në gjendje të rëndë.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, është duke vijuar intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

“Berat/Informacion paraprak

Rreth orës 00:55, është dërguar në spital për ndihmë mjekësore shtetasi F. T. (Xh)., 37 vjeç, banues në Berat, i plagosur me armë zjarri në rrethana ende të paqarta, në hyrje të qytetit.

37-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë është ngritur grupi hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, njofton policia.