BERAT- Kryeministri Edi Rama ka inauguruar sot pedonalen në qytetin e Beratit. Duke u ndalur tek premtimi i një vit më parë për rritjen e investimeve në këtë qytet, kreu i qeverisë tha se projektet e nisura do të çelin rrugë të reja për ekonominë. Rama tha se në qytetin e Beratit do të vijojë puna për rehabilitimin e lagjeve historike, duke u shprehur se nuk do lejohen ndërtimet pa leje.

Për Kryeministrin, këto investime janë fillimi i mbajtjes së premtimit dhënë qytetarëve të Beratit se në 4 vitet e ardhshme do të investohen më shumë se në 20 vite të marra sëbashku.

“Në një vit ne kemi investuar në këtë qytet më shumë sesa në 10 vitet e fundit të marra sëbashku Për të përmbushur zotimin tonë, në fakt na mjafton edhe një vit tjetër, sepse edhe në vitin që vjen do të bëjmë përsëri më shumë se në 10 vitet e fundit, por ajo që unë shoh me rëndësi ende më të madhe është se këto nuk janë projekte që sjellin vetëm një shkëlqim dhe një rrezatim të së shkuarës dhe të shpresave të së ardhmes në trupin e qytetit. Këto janë projekte që çelin rrugë të reja për ekonominë, janë projekte që  çelin rrugë të reja për atë industri që Shqipëria duhet ta ketë të parën dhe që Berati duhet të jetë lokomotivë në zhvillim e saj, që është turizmi,” – shpreh Kryeministri.

Projektet e nisura në qytet, Kryeministri i quajti një program zhvillimi dhe premtoi vazhdimin e mbështetjes për të nxjerrë nga harresa qytetin e vjetër.

rama berat
rama berat

“Do të vazhdohet më tutje me çuarjen më tej të këtij aksi kryesor, do të vazhdohet më tutje me çuarjen më tej të procesit të rehabilitimit në lagjet historike, por padyshim do të vazhdohet më tej, për t’i dhënë një pamje tërësisht të re të gjitha godinave që janë në anë të rrugës kryesore dhe për të rritur kështu edhe vlerën e gjithë strukturave, qofshin ato të biznesit, qofshin ato të banimit, në gjithë këtë zonë. Nga ana tjetër rikonstruksioni i Hotel Turizmit të famshëm dhe transformimi i tij nga një ngrehinë e vjetër e një kohe të shkuar në një ngrehinë që duke respektuar traditën do të marrë një zhvillim tërësisht të ri do t’i japin gjithë kësaj shëtitoreje dhe një pikë të re referimi. Ndërkohë ne po punojmë hap pas hapi, për të vazhduar të nxjerrim në pah thesaret e këtij qyteti, duke filluar nga ura e famshme e Goricës, ku praktikisht po ribëjmë tërësisht kalldrëmin, po bëjmë një pastrim rrënjësor, po përgatisim gjithë strukturën për ta mbrojtur urën nga erozioni, duke liruar po ashtu linjat elektrike dhe ujësjellësin që është sipër saj dhe duke i montuar ashtu siç duhet, duke bërë ndriçimin e plotë të urës dhe sigurisht, duke përfituar edhe nga nxjerrja në pah edhe e një harku tjetër të urës, në mënyrë që ai thesar i Beratit të bëhet një pikë e fortë tërheqjeje për turistët dhe për vizitorët. E njëjta gjë për urën e Velabishtit, ku edhe aty po bëhet një investim i rëndësishëm.”

rama berat

Kryeministri ripërsëriti edhe një herë apelin se nuk do të lejohet zaptimi i hapësirave publike.

“Atyre që thonë që ne po shkatërrojmë, unë do t’ju sillja në vëmendje atë që thoshte Pikaso: “Ne shkatërrojmë për të ndërtuar.” Ne nuk ndërtojmë për të shkatërruar, siç ka ndodhur vite të tëra, ku edhe investimet që janë bërë në emër të ndërtimit më shumë kanë sjellë shkatërrim dhe rrënim, sesa kanë sjellë ndërtim. Sigurisht, edhe në Berat nuk do të lëmë pa shkatërruar  ndonjë godinë pa leje, nuk do lëmë pa shkatërruar ndonjë godinë që i zë sytë qytetit të vjetër, nuk do lëmë pa shkatërruar ndonjë godinë të ngritur me arrogancë dhe me brutalitet të madh, duke i bërë një karshillëk të madh gjithë popullit të mirë e të urtë të Beratit dhe duke nxjerrë përfitime nga zaptimi i hapësirave të përbashkëta. Epoka e zaptimit të hapësirave përbashkëta nga të fortët e lagjes, nga të fortët e qytetit ka mbaruar në 23 qershor.”

Bashkia e Beratit i akordoi Kryeministrit Edi Rama edhe medaljen e mirënjohjes, për mbështetjen dhënë qytetit. Të cilën, nga ana e tij, Kryeministri ia dedikoi Zëvendëskryeministrit Niko Peleshi si koordinator i Programit “Rilindja e Qyteteve”.

Rama në Twitter: Ura monument kulture në Berat duke dalë nga shtrati i llumit 20 vjeçar
Përmes rrjetit social 'Twitter' Rama ka publikuar një foto për punimet që po bëhen në Berat për nxjerrjen në dritë të urës monumentale të këtij qyteti.
 

Gjithashtu Rama përmes rrjetit social 'Twitter' ka hedhur një tjetër foto duke treguar edhe punimet në dalje të Beratit.
 

Redaksia Online
(e.s/a.h/shqiptarja.com)