Nga Berati ku vijon turi “Puna për Shqipërinë që duam” ministri i turizmit dhe mjedisit Blendi Klosi u kërkoi qytetarëve që të denoncojnë të gjithë drejtuesit dhe nëpunësit e korruptuar apo që nuk kanë kryer detyrën e tyre. Ministri paralajmëroi të gjithë drejtuesit e institucioneve se janë në monitorim të rreptë për komunikimin e tyre për çdo problem të ngritur nga qytetarët.
Kreu i Turizmit dhe Mjedisit theksoi se Berati duhet të zgjerojë ofertën turistike nga 1 ditore përgjatë gjithë vitit për të pasur më shumë mirëqenie dhe të ardhura. Ministri Klosi tha se së shpejti do të marrë fund edhe problematika e venddepozitimit të mbetjeve pranë lumit. Gjatë takimit të llogaridhënies në Poliçan ministri Klosi tha se është marrë vendimi për revokimin e lejeve të guroreve në malin e tomorit.
Ministri Klosi u kërkoi banorëve të Poliçanit, që të zhvillojnë qendrat e argroturizmit për t’u ofruar turistëve jo vetëm bukuritë natyrore por edhe produktet më të njohura të zonës Ministri Klosi zhvilloi takime të llogaridhënies edhe me banorë të njësive administrative Sinjë, Vërtop, Mbrakull, ku pasi dëgjoi problemet dhe shqetësimet e ngritura, kërkoi që çdo shqetësim të denoncohet në platformën e bashkëqeverisjes.
Kritikoni, denonconi, evidentoni me fakte apo me shqetësimet tuaja, cdo punonjës të korruptuar të këtij shteti, cdo njeri që nuk përgjigjet në bazë të standarteve të etikës, në bazë të moralit dhe profesionalizmit të kërkuar nga administrata publike. Edhe përsa i përket Mjedisit, kemi disa zgjidhje shumë të mira për qarkun e Beratit. projekti zviceran tashmë ka filluar punën për të rishpërndarë edhe njëherë të gjithë sistemin e vjetër të trajtimit të mbetjeve urbane. Është e pafalshme që ne të kemi akoma venddepozitime pranë lumit dhe kur del lumi e fryhet e ka më shumë reshje, plehrat e Beratit, apo të Urës Vajgurore, apo të Poliçanit e Skraparit, shpërndahen gjatë gjithë rrjedhës së lumit dhe krijohet një situatë si ajo që na u krijua vjet në dimër e cila nuk është fare prezantuese e qarkut tonë kaq të bukur dhe kaq të mrekullueshëm.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi në Berat
Ne kemi kërkuar dhe jemi së bashku për të ndarë këtë shqetësim që të krijojmë pika të 100 fshatrave nga të cilat edhe nga Policani kemi zgjedhur zona të caktuara për ta afruar si një mundësi të artë të zhvillimit rural, por të kemi mundësi që të ngrejmë edhe qendra të agroturizmit, pra që turistët që vijnë e vizitojnë Beratin të kenë arsye të vizitojnë Policanin, për të pasur një pikë turistike, një zonë ku shërbehet mirë, ushqime bio, tradicionale, për të pasur mundësinë që të ofrojmë arsyet pse një qytetar shqiptar apo i huaj të shtojë ditët e qëndrimit në qarkun e Beratit. Dhe alternativa, duke mbrojtur malin e Tomorit, duke afruar zona kulinarie, afruar shëtitjet apo vizitat në kantinat e verës apo prodhimit të vajit të ullirit dhe prodhimeve të tjera që ka kjo zonë do ta bëjë shumë më tepër atraktiv të gjithë sektorin turistik të zonës. Eshtë e tmerrshme ajo që ka ndodhur në malin e Tomorit,. Është e tmerrshme që mali i Tomorit vazhdohej të shfrytëzohej në mënyrë krejtësisht jo të rregullt përsa i përket interesave të njerëzve, të komunitetit shumë të madh bektashi dhe të njerëzve që e shikojnë malin e Tomorit si mal të shenjtë. E kemi thënë në fushatë, e kemi kërkuar shpesh që ato që shfrytëzojnë guroret në malin e Tomorit, të kishin një trajtim normal të Mjedisit. Nuk e bënë kurrë dhe ne prandaj kemi marrë vendim që atyre guroreve t’u revokojmë lejet derisa në kuadër edhe të gjitha poltikave që kemi në të gjithë Shqipërinë trajtimi i malit të bëhet me norma e parime, nisur edhe nga e mira e përgjithshme e qytetarëve dhe komunitetit që jeton në këtë zonë kaq të bukur.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi në Poliçan