BERAT – Kryetari i LSI, Ilir  Meta prezantoi sot kandidatët  e qarkut të Beratit duke filluar me kryesuesin e listës Nasip Naço, duke vijuar me Gledion Rehovicën, Selfo Kapllanin, Silva Cakën, Lefter Kuqon, Valbona Papën, Mimoza Velikon, dhe Emiljano Kamsin.

Në fjalën e tij, kreu i LSI-së tha ndër të tjera se "pas 23 qershorit nuk do ta presim Sali Berishën si kryeministër sepse ai me votën tonë, me votën tuaj dhe gjithë shqiptarëve do të shkojë në opozitë. Por, ne do ta presim si turist që të vizitojë kalanë, do ta presim si turist në Malin e Tomorit për pelegrinazh, do ta presim si turist në kanionet e Osumit"

META: BERATI I KUQ I IDEALEVE PARTIZANE

"Jam shumë privilegjuar të jem sot në Berat. Ne Beratin e kuq, në Beratin e idealeve partizane, në Beratin që i dha më shumë se çdo krahinë tjetër nënshkrues aktit të pavarësisë me Ismail Qemalin në Vlorë", - tha Meta. -"Në Beratin që jo vetëm krenohet me historinë, me traditat dhe me atë që ka dhënë më të mirën për kombin, por me Beratin është gati të marrë shumë më tepër përgjegjësi për të ardhmen e tij, por edhe për të ardhmen e gjithë Shqipërisë.

Ndaj ne jemi sot më të fortë se asnjëherë tjetër, jemi sot më të mbështetur se kurrë më parë, jemi sot në këtë qytet të shenjtë në këtë qytet të jashtëzakonshëm. Jemi këtu përballë malit të shenjtë të Tomorit, Sepse jemi të bekuar nga Zoti dhe nga Abaz Aliu që të bëjmë punë shumë të mira për Beratin, për Kuçovën dhe për të gjithë Shqipërinë".

BERATI ESHTE DISKRIMINUAR SI ASNJE QARK TJETER

Meta u shpreh në vazhdim: "Dje kur po kthehesh nga Durrësi dëgjova një zë të njohur, i cili i premtonte Beratit se turizmi do të rritej në Berat 400 % gjatë katër viteve që do të vinin. Vërtetë u habita akoma më tej kur pashë se ky zë i njohur i taktonte kryeministrit në largim, i cili e ka diskriminuar për fat të keq Beratin dhe të gjithë këtë qark si asnjë qytet dhe asnjë qark tjetër në të gjithë Shqipërinë gjatë këtyre 8 viteve. Ai dhe qeveria e tij jo vetëm që nuk kanë dëgjuar zërin tuaj dhe shqetësimet tuaja, por njëkohësisht nuk kanë dëgjuar as zërin tim, as zërin e deputetit të Beratit gjatë këtyre viteve, Nasip Naçon në Parlament dhe kudo, për të treguar jo ndonjë dashuri shumë të madhe për Beratin për Skraparin dhe për Kuçovën. Sepse atij i ka mbetur ora për fat të keq në këtë qark në referendumin e vitit 1994. Po të tregonte kujdesin më minimal, të tregonte përgjegjshmërinë dhe dhembshuri të pakët që mund të tregohej ndaj këtij populli, por edhe ndaj vlerave të jashtëzakonshme kulturore, muzeale dhe historike që i takojnë qytetit të UNESCO-s.

Pesë milionë euro u vendosën në dhjetor në buxhetin e shtetit vetëm si rezultat i insistimit të deputetëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim për të rregulluar dhe për të mbushur gropat nacionale që lidh Lushnjën me qytetin e Beratit dhe ai që dje premtonte rritjen e turizmit 400 për qind në qytetin e Beratit për katër vitet e ardhshme bënte sikur nuk i shikonte gropat me të cilat ju dhe të gjitha ata që vijnë dhe që ikin nga Berati, luftoni çdo ditë. Ku shkuan këto 5 milionë euro, të cilat u vendosën formalisht në buxhetin e shtetit. Ju me të drejtë mund të pyesni, një pjesë e tyre vajtën për një kompani lobuese që të dizinformojë Shtetet e Bashkuara dhe Evropën për problemet me të cilat po ndeshet demokracia në Shqipëri, për problemet me të cilat po ndeshen zgjedhjet e lira dhe të ndershme në Shqipëri.

Ndaj Berati nuk ka ndërmend të presë Sali Berishën të mbajë premtimet e tij por ne jemi njerëz bujarë, jemi mikpritës, jemi tolerantë. Ne vërtet pas 23 qershorit nuk do ta presim Sali Berishën si kryeministër sepse ai me votën tonë, me votën tuaj dhe gjithë shqiptarëve do të shkojë në opozitë. Por, ne do ta presim si turist që të vizitojë kalanë, do ta presim si turist në Malin e Tomorit për pelegrinazh, do ta presim si turist në kanionet e Osumit sepse ne e kemi zemrën të madhe dhe të gjerë. Bukuritë natyrore dhe vlerat e jashtëzakonshme të Beratit janë të panumërta dhe do të duheshin ditë të tëra për t’i përmendur por bukura dhe vlera më e madhe e këtij qyteti dhe e këtij Qarku janë njerëzit bujarë, duarartë, punëdashës dhe patriotë.  Prandaj është koha për rrotacion, është koha për ndryshim, është koha për të ecur më shpejt drejt një modeli të zhvillimit ekonomik që rrit prodhimin dhe kapacitetet eksportuese të Beratit dhe të gjithë Shqipërisë".

NASIP NAÇO: ME VOTE TA BEJME ILIR METEN KRYEMINISTER

Një nga kandidatët e LSI_së, Nasip Naço, dha mendimin e tij për kryeministrin e ardhshëm para simpatizantëve: “Me votën tuaj e bëjmë Metën kryeministër të Shqipërisë. Ilir Meta ka qënë kryeministri më i suksesshëm i së majtës dhe Meta kryeministër do bëjë më shumë së gjithë të tjerët, është një lider i provuar këto vite.”- u shpreh Naço.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)