Zjarr buzë lumit Osum flakët shkrumbojnë shkurret përgjatë bregut. Mësohet se zjarri është i qëllimshëm. Drejtoria e MZSH, Bashkia Berat mori njoftim për një zjarr në shkurre ferra pranë tregut të ri te Ura e Betonit mbi lumin Osum.

Ndihmuar nga era flakët u përhapën me shpejtësi, teksa tymi u përhap në gjithë lagjen e banuar shumë pranë tregut të ri. Kanë qenë tregtarët të cilët kanë lajmëruar repartin MZSH Berat. Menjëherë në vendngjarje u nis grupi i shërbimit dhe 2 mjete zjarrfikëse.

Për një kohë relativisht të shkurtër u vu zjarri nën kontroll, u arrit  izolimi dhe fikja  e tij. Si pasojë e këtij zjarri u dogjën rreth 1000m2 shkurre ferra.

Po punohet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe vënien para përgjegjësisë të autorit/ëve.

Është i katërti rast brenda një harku kohor të shkurtër që zjarret janë të qëllimshme por pa autorë.