BERAT- Pas përfundimit të investimit të pedonales në qytetit e Beratit do të nisë funksionimi i Zonës për Zhvillimin e Biznesit.
Janë 38 biznese që fitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ky projekt dhe 20 të tjerë në mënyrë indirekte.

Sipas Besmir Blanës, administrator i taksave vendore pranë bashkisë së Beratit, “Janë rreth 1.2 milionë lekë të reja në vit dhe do të përdoren për nevojat e biznesit të kësaj zone”.

Të gjithë këta biznese që ndodhen në shëtitoren e qytetit, ku tashmë po kryhet investimi më i rëndësishëm që do të ndryshojë imazhin, do të jenë së bashku në një partneritet publik dhe privat.

Nga ana e bashkisë është vendosur që të ardhurat që mblidhen nga këto biznese do të kalojnë në emër të shoqatës.
Ky projekt në botë, por tashmë dhe në vendin tonë njihet si projekti “BID”.

Falë këtij bashkëpunimi, pronarët dhe sipërmarrësit zgjedhin të japin kontributin kolektiv për zhvillimin, mirëmbajtjen dhe promovimin e zonës së tyre tregtare. 
 
Besmir Blana, administrator i taksave vendore pranë bashkisë së Beratit në një prononcim për mediat, bëri me dije se avantazhet që ofron kjo zonë janë: rritja e vlerës së pronave, rritja e të ardhurave të biznesit, më shumë mirëmbajtje, siguri, gjelbërim, marketing për zonën, ulje të vendeve të pashfrytëzuara.
 
Gjatë kësaj kohe ku po kryhet investimi i qendrës së qytetit janë zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësuesit e Fondit Amerikan të Zhvillimit, investitor i këtij projekti, bizneseve dhe specialistë të Bashkisë së Beratit me qëllim që sapo punimet të përfundojnë të nisë fuksionimi i kësaj zone.
 
Redaksia Online
(b.g/shqiptarja.com)