BERAT- Një parakalim "i gabuar" është bërë shkak për një sherr që ka përfunduar deri në përdorimin e armëve.

Report Tv mëson se 45-vjeçari Bledar Qolja pas konflikti "pse më parakalove", ka qëlluar me çifte në drejtim të makinës ku udhëtonin 3 persona E. T, Endri Djeksi, Geri Lamllari. Për fat të mirë, nga të shtënat me armë nuk ka persona të lënduar.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar arma e gjahut (çifte), dy  gëzhoja, një shirit me fishek dhe një thikë.

"Berat/Qëlloi me armë gjahu (çifte), nga automjeti, në drejtim të një automjeti tjetër me të cilin lëviznin 3 shtetas, vihet në pranga, brenda pak orësh, 45-vjeçari. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Berat arrestuan shtetasin B. Q., 45 vjeç, banues në Berat, pasi dyshohet se gjatë natës, teksa drejtonte automjetin e tij, në lagjen "Ish Kombinati", ka qëlluar me armë gjahu (çifte), si pasojë e një konflikti për motive të dobëta, në drejtim të automjetit me të cilin lëviznin shtetasit E. T., 29 vjeç,  E. D., 25 vjeç dhe G. L., 25 vjeç. Nga e shtëna nuk ka persona të lënduar. Në vijim të veprimeve janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, arma e gjahut (çifte), dy  gëzhoja, një shirit me fishek dhe një thikë", njofton policia. 

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.