BERAT- Vazhdon në ditën e 12-të protesta e drejtuesve të furgonëve me targa të verdha të linjës ndërqytetare edhe në Berat. 
Drejtuesit e taksive tetë plus një në Berat vazhdojnë të qëndrojnë në qendër të qytetit, sëbashku me mjetet e tyre, duke bllokuar edhe rrugën herë pas here.

Drejtuesit shprehen të bindur se protesta e tyre jo vetëm që do të vazhdojë, "por do të përshkallëzohet me çdo lloj forme të mundshme, nëse gjen zbatim vendimi për largimin e shërbimit tetë plus një dhe kthimi i tyre në vendet e nisjes pa pasagjerë".
 
Ylli Xhamxhiu, përfaqësuesi i mjeteve taksi tetë plus një në këtë qytet u shpreh sot se, “Asnjë aksident në rrugët e vendit nuk ka ardhur nga mjetet taksi tetë plus një, por nga furgonët me targa të bardha, që i konkurrojnë në mënyrë të pandershme”.

Xhamxhiu hodhi madje akuza edhe ndaj deputetëve të qarkut të Beratit për mosmbështetje. Ai deklaroi se do të jenë në pritje të vendimit nga Ministri i Transportit dhe ai i Brendshëm dhe më pas protestat do të përshkallëzohen.
 
Redaksia Online
(b.g/shqiptarja.com)