BERAT- Dhuna në familje është kthyer në një dukuri tepër shqetësuese në qytetin e Beratit, kryesisht ajo e burrave ndaj bashkëshorteve të tyre. Shifrat flasin për një rritje të numërimit të grave që denoncojnë çdo ditë dhunën fizike që burrat prej kohësh ushtrojnë ndaj tyre, ndërkohë që dhuna verbale, psikologjike duket sikur është e papërfillshme prej tyre.
 
Në bazë të komunikatave zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Beratit shihet se në këtë katër mujor të parë të vitit, gati çdo ditë një femër kërkon urdhër mbrojtje, pasi dhunohet nga bashkëshorti i saj.
 
Në lidhje me këtë situatë alarmante të krijuar psikologja, Juvina Qevani, bën me dije se rastet po shtohen si pasojë e një situate të rëndë kryesisht ekonomike dhe sociale që po kalon familja shqiptare.
 
Raste të tjera të denoncimit në familje regjistrohen mes prindërve dhe fëmijëve, mes të afërmve të tjerë, por ajo që është më shqetësuese është dhuna që vjen nga burri tek gruaja.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)