Fatjon Sadushi, 15-vjeçari që u mbyt një ditë më parë teksa po lahej në lumin Osum, pranë fshatit Orizaj është përcjellë në banesën e fundit mes lotësh dhe dhimbjes.

Banorë të zonës shprehen se në këtë segment të lumit janë krijuar gropa të thella, të cilat, sipas tyre, janë formuar pas vendosjes së pritave për mbrojtjen e tokave bujqësore nga përmbytjet.

Po ashtu ata thonë se djali kishte këmbëngulur që të lahej, pavarësisht se babai i kishte thënë që të mos futej në lumë.

“Ishte djalë i vetëm, babai fillimisht nuk e kishte lënë të hynte, por ai kishte këmbëngulur. Lumi nuk kishte shumë ujë, por aty ka gropa”, tha një banor.

“Janë gabim që i kanë bërë prita në ato mënyrë”, tha një banor.

“Moshatarët thonë që nuk dinte not”, u shpreh një tjetër.

Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e djeshme ku Fatjon Sadushi po punonte së bashku me të atin në arë. I mituri hyri në lumë për t'u freskuar, por fatkeqësisht u mbyt. I ati hyri menjëherë në ujë në përpjekje për ta shpëtuar, por arriti ta nxirrte të birin në breg pa shenja jete.