BERAT - Një 32-vjeçare nga Kuçova ndërroi jetë në spitalin e Beratit pas konsumimit të një sasie fostoksine, edhe pse iu nënshtrua një ndihme mjekësore intensive prej disa orësh.

Burime pranë Repartit të Urgjencës në spitalin e Beratit bënë me dije se rreth orës 11.00 të paradites së sotme humbi jetën Manushaqe Bakiu, 32 vjeçe, banore e qytetit të Kuçovës.

32 vjeçarja mësohet se ishte paraqitur për ndihmë mjekësore në orët e para të mëngjesit të sotëm, pasi familjarët e saj e gjetën në gjendje të rëndë shëndetësore në dhomën e saj.

Menjëherë ajo u dërgua në spitalin e Beratit, ku mjekët konstatuan se vajza kishte konsumuar një sasi fostoksine.

Pavarësisht ndihmës intensive mjekësore të dhënë prej disa orësh, vajza nuk mundi të mbijetojë.

Në banesën e saj në qytetin e Kuçovës mbërritën më pas ekspertë të policisë, të cilët nisën hetimet e rastit për të mësuar shkaqet e vetëhelmimit të 32-vjeçares.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)