Për herë të parë në histori, më 26 mars në Varshavë, Shqipëria do të luajë kundër Polonisë për ‘play-off’-in e një Botërori. Një sfidë që mund të afrojë ëndrrën e madhe të tifozëve kuqezinj, për të qenë për herë të parë në një kampionat Botëror, që zhvillohet nga 11 qershori deri në 19 korrik në SHBA-Kanada dhe Meksikë.

Për Report Tv ish-sulmuesi i Kombëtares Agustin Kola thotë se presioni që kanë polakët në fushën e tyre është në favor të Shqipërisë.

“Me të rrahur Polonia nuk është turp se Polonia është Poloni, por problemi për ta është se do kenë presion psikologjik më të madh. Është sikur të kesh 10 kilogramë mbi shpinë dhe të vraposh. Ne edhe po u mundëm nuk kemi pse kritikojmë kombëtaren dhe ti biem në qafë,”-u shpreh ish-futbollisti.

Mungesën e minutave të futbollistëve kuqezinj me ekipet ku luajnë Kola nuk e sheh problematike.  

“I kanë minutat sepse po luajnë në kampionate të huaja. Nuk po luajnë në kampionat shqiptar që stërviten një orë e 30 minuta. Kaq i bënin kooperativat në kohë tonë. Këto luajnë në ekipet e tyre po me këto lojtarë të mëdhenj. Ne s’na zinte gjumi natën sepse do luanim me Rummenigen. Këta i kanë shokë ekipi. Luajnë me lojtarët më të mirë në botë,"-deklaroi Kola.

Rezultati i parë pozitiv për Shqipërinë në tokën polake erdhi në vitin 1984 kur kuqezinjtë barazuan 2-2 falë një goli dhe një asisti të Agustin Kolës. Në atë kohë ish-sulmuesi realizoi ndaj një prej kombëtareve më të forta, pasi Polonia vinte nga një Botëror ku kishte zënë vendin e 3 falë paraqitjeve të mëdha të Boniek.

“Është vula e të gjithëve sepse nuk luhet futbolli vetëm. Ka qenë vula e të gjithëve paçka se unë kam qenë sulmues,”-tha ish-futbollisti i Kombëtares.

Në rast të disfatës kundër Polonisë ndeshjet e marsit sipas të gjitha gjasave do të jenë të fundit të trajnerit Sylvinho në drejtimin e kombëtares shqiptare.

“Këto trajnerët e huaj janë profesionistë. Jo s’e nuk janë trajnerët tanë, por ndërhynë shumë. Kam qenë dhe jam trajner vetë. Ndërhyjnë shumë. Te të huajt edhe kur ndërhyjnë dinë se si të komunikojnë. Këto fusin atë që e meriton sepse do nderojnë veten,”-deklaroi Kola.

Nëse kualifikohet kundër Polonisë, më 31 mars kombëtarja luan ‘play-off’-in final me fituesin e çiftit Ukrainë-Suedi, ndërsa në rast se humbet do të luajë për vendin e 3 dhe 4 me humbësin e po të njëjtit çift.